Shkruar nga Gjergj KOLA
Nëse flasim për sportin e hendbollit në Shkodër dhe Shqipëri, padyshim emri të cilin kurrsesi nuk mund ta anashkalosh është ai i Artan Durros. Sportistit që e vazhdoi karrierën e tij deri në moshën 45-vjeçare, duke arritur jo pak suksese, ndërkohë që më pas vazhdoi si trajner, ku sukseset e ndoqën sërish.
Po ndalemi sot tek ky personazh ngaqë ai ka ditëlindjen. Feston 55-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport”, por edhe të lexuesve të saj të shumtë, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Artan Durro ka lindur në Shkodër më 1 shtator 1971 dhe e ka filluar hendbollin në vitin 1988. Në fillim me të rinjtë e Vllaznisë e pastaj me të rriturit, duke luajtur në rolin e alos, teksa ka pasur një veçanti të veçantë, sepse ka luajtur me dorën e majtë. Sukseset nuk i kanë munguar jo vetëm me ekipin shkodran, por edhe me ekipe të tjera jashtë vendit, si dhe me ekipin kombëtar, me të cilin ka luajtur 30 ndeshje (10 me të rinjtë dhe 20 me të rriturit).
Nga viti 1988 deri në vitin 1995, me Vllazninë ka fituar dy trofe. Gjatë këtyre viteve ka qenë edhe anëtar i ekipeve kombëtare.
Më pas shkon të luajë në Gostivar, në Maqedoni, ndërsa karriera e tij do të vijonte edhe në Belgjikë, me Gentin dhe Antwerpin, e më pas në Itali, ku ka qenë edhe trajner i të rinjve në Breshia.
Karrierën e tij jashtë vendit e penalizoi një aksident automobilistik që pati në Itali. Prandaj, gjatë periudhës së rikuperimit, drejtoi një ekip të rinjsh dhe më pas vazhdoi rikuperimin në Shkodër, pikërisht në vitin 2004.
Në këtë periudhë i është bashkuar përsëri Vllaznisë, fillimisht si lojtar, deri në vitin 2016, e më pas si trajner i saj. E drejtoi për pesë vite me radhë, duke fituar tre trofe.
Në total, gjatë gjithë karrierës së tij sportive, ai ka fituar me Vllazninë 10 tituj kampionë dhe 3 Kupa të Federatës.
Kjo është pak a shumë karriera sportive e protagonistit të këtij shkrimi, i cili i ka kushtuar 30 vite të jetës së tij hendbollit, nga të cilat 25 si sportist dhe 5 si trajner, duke arritur shumë suksese, për të cilat ka marrë edhe mirënjohjen e gjithë shkodranëve dhe jo vetëm.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


