Ka zgjatur vetëm një sezon aventura e tij tek skuadra e Lushnjës. Ersi Zaganjori është rithyer sërish në Shkodër duke iu bashkuar ekipit Vllaznia “B” në stërvitje. Mesfushori shkodran ka vendosur të jetë pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri dhe si rrjedhojë është vënë prej disa ditësh nën urdhërat e trajnerit Brikeno Bizi.
Ky i fundit ka arritur të ndërtojë një ekip simpatik dhe sigurisht që do të ketë pretendime në kampionatin e kategorisë së dytë ku do të marrë pjesë këtë sezon. Pjesë e tij është tashmë edhe Zaganjori që me aftësitë e tij do të jetë një pikë e rëndësishme e mesfushës kuqeblu.
Ai konsiderohet një nga lojtarët më të talentuar që ka nxjerrë Akademia Vllaznia vitet e fundit, por mungesa e hapësira tek ekipi i parë, bënë që ai të zgjidhte Lushnjën në kategorinë e parë për të luajtur me të në sezonin që lamë pas.
Por ecuria e kësaj skuadre dhe problematikat që e kanë shoqëruar atë, bënë që fantazisti të rikthehej në Shkodër tek Vllaznia “B”, por duke qenë kuptohet në vëmendjen e stafit të ekipit të parë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


