Ditët e fundit në Sarandë është zhvilluar Maratona Kombëtare e Notit, një aktivitet i organizuar nga Federata Shqiptare e Notit në bashkëpunim me Bashkinë Sarandë. Dhe sportistët e ekipit të Vllaznisë kanë bërë një tjetër përfaqësim dinjitoz duke treguar vlerat e tyre më të mira.
Spikati mbi të gjitha notarja e talentuar Viki Tafrruku e cila zuri vendin e parë dhe u shpall kampione absolute e Maratonës.Një rezultat ky që konfirmon edhe njëherë tjetër se ajo mbetet një nga emrat aktualisht më të mirë të këtij sporti në vendin tonë.
Ndërkohë në kategorinë e të rinjve Skerdi Kroni zuri vendin e dytë në kategorinë e sportistëve të datëlindjes 2012 dhe më të vegjël ndërsa Joel Golemi në të njëjtën kategori u rendit i treti.
Në këtë mënyrë me Maratonën Kombëtare, e njohur ndryshe edhe si Kupa “Idriz Muço” mbyllet sezoni i verës për notarët e Vllaznisë, një sezon ky shumë i suksesshëm dhe kjo falë punës së bërë në stërvitje çdo ditë nga sportistët nën drejtimin e trajnerit Kol Shiroka.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



