Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Besëlidhja ka gjetur zgjidhjen e përkohshme për pankinën, pas largimit të Elvis Plorit nga drejtimi i skuadrës. Ndriçim Shtubina do të marrë drejtimin e ekipit lezhjan, të paktën për momentin, duke u ngarkuar me detyrën për të drejtuar skuadrën në ndeshjen e radhës në kampionat.
Ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë, i cili gjatë kësaj periudhe ka qenë pjesë e stafit të Besëlidhjes në rolin e zv/trajnerit, ka nisur menjëherë punën me ekipin. Shtubina po përgatit lezhjanët për transfertën e vështirë ndaj Bylisit, takim që do të shërbejë edhe si debutimi i tij në pankinë.
Ky ndryshim në stol vjen pas një starti negativ të Besëlidhjes në kampionat, me dy humbje në dy javët e para. Lezhjanët tashmë kërkojnë të reagojnë menjëherë dhe të marrin pikët e para të sezonit, ndërsa detyra e Shtubinës do të jetë rikthimi i qetësisë dhe rezultateve pozitive në skuadër.
Përballë do të jetë Bylisi, një kundërshtar i vështirë në transfertë, ndaj të cilit Besëlidhja do të zbresë në fushë këtë të mërkurë. Ndeshja Bylis–Besëlidhja do të luhet në Ballsh, në orën 16:00, me lezhjanët që do të kërkojnë reagimin e menjëhershëm pas dy humbjeve të para të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


