Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia po kalon një nga startet më të vështira të viteve të fundit në kampionat dhe pas humbjes 0-2 ndaj Teutës në “Loro Boriçi”, situata për kuqeblutë është bërë edhe më shqetësuese. Pas pesë javëve të para, skuadra shkodrane ndodhet në fundin e renditjes me vetëm dy pikë të grumbulluara, pa asnjë fitore dhe me një bilanc që ngre alarmin në kampin kuqeblu.
Problemet nuk lidhen vetëm me mungesën e rezultateve. Vllaznia ka pësuar 10 gola në pesë ndeshje, duke pasur aktualisht mbrojtjen më të dobët të kampionatit, një tregues që flet qartë për vështirësitë e skuadrës për të ruajtur portën. Në pesë takimet e zhvilluara deri tani, kuqeblutë kanë pësuar gol në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të marrë rezultate pozitive.
Një tjetër çështje që rëndon situatën është edhe ajo jashtë fushës. Merkatoja e Vllaznisë është bllokuar për shkak të detyrimeve të pashlyera ndaj ish-lojtarëve, duke kufizuar mundësinë e klubit për të ndërhyrë në organikë dhe për të përforcuar skuadrën. Në një moment kur rezultatet po mungojnë dhe problemet sportive janë evidente, kjo përbën një tjetër vështirësi për drejtuesit e klubit.
Në të njëjtën kohë, një pjesë e tifozerisë ka shprehur prej kohësh pakënaqësi për mënyrën se si është menaxhuar merkatoja dhe për disa prej vendimeve të marra gjatë kësaj periudhe. Kritikat kanë qenë të pranishme edhe në lidhje me rinovimin e disa futbollistëve, ndërsa rezultatet e këtij fillimi sezoni duket se kanë shtuar edhe më shumë presionin mbi drejtuesit.
Tashmë Vllaznia ndodhet përballë nevojës për të reaguar sa më shpejt. Kampionati është ende në fillimet e tij, por pozicioni në tabelë, mungesa e fitoreve, numri i lartë i golave të pësuar dhe pamundësia për të ndërhyrë në merkato e bëjnë situatën delikate. Çdo javë që kalon pa një kthesë në rezultate e rrit presionin mbi skuadrën, stafin teknik dhe drejtuesit.
Në Shkodër kërkohet një reagim konkret, si në fushën e lojës, ashtu edhe në menaxhimin e situatës jashtë saj. Vllaznia ka nevojë të ndalë sa më shpejt serinë negative dhe të rikthehet te rezultatet, për të shmangur që një start i dobët të shndërrohet në një krizë të thellë sportive.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


