Situata te Vllaznia nuk është aspak e mirë pas rezultateve negative të këtij fillim- sezoni dhe kjo ka bërë që drejtuesit e klubit të mendojnë për ndonjë zgjidhje e cila mund të çojë më pas në përmirësimin e saj.
Kuptohet që në raste të tilla kur mungojnë rezultatet, i pari që e pëson është trajneri, prandaj dhe nga sa mësohet presidenti Xhaferi i ka kërkuar trajnerit Edi Martini që të japë dorëheqjen. Por ky i fundit ka patur një mendim krejt tjetër duke mos e menduar veten fajtor të situatës së krijuar.
Në të tilla rrethana, e vetmja zgjidhje është shkarkimi e kjo gjë padyshim që ka koston e vet sepse siç dihet tekniku ka firmosur për dy sezone dhe klubit kuqeblu do t’i duhej t’i paguante një shumë të madhe.
Edhe Martini duket se do të ishte dakord të largohej nëse do të dëmshpërblehej megjithatë për momentin duket se kjo çështje ka ngecur në vend dhe ende nuk ka marrë zgjidhje. Vllaznia ka vetëm 2 pikë të grumbulluara pas 5 javësh kampionat dhe mban vendin e fundit në renditje.
Një situatë e tillë kërkon reflektim nga të gjitha palët dhe për fat të mirë tani ka ardhur edhe ndërprerja trejavore e kampionatit, çka mund t’i shërbejë Vllaznisë për të rregulluar disa gjëra që nuk shkojnë në skuadër.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


