Shkruar nga Endri ÇINARI
Nuk ka më vend për hapa falsë. Në prag të ndeshjes së javës së 11-të ndaj Elbasanit, te Vllaznia objektivi është i qartë: fitorja dhe vetëm fitorja përballë verdhebluve. Shkodranët vijnë në këtë përballje në një moment delikat të sezonit, teksa pas dhjetë javëve të para të kampionatit kanë grumbulluar vetëm 9 pikë dhe pozicionohen në vendin e parafundit të renditjes.
Një pozicion ky që duket shumë larg pritshmërive për një skuadër si Vllaznia, që në sezonin e kaluar luftoi për titullin kampion deri në javën e fundit. Për këtë arsye, çdo rezultat tjetër përveç tri pikëve do ta komplikonte edhe më shumë situatën e kuqebluve, të cilët kanë nevojë urgjente të nisin ngjitjen në tabelën e klasifikimit.
Përballë do të jetë një Elbasan që drejtohet nga trajneri Glen Daja dhe që po kalon një moment pozitiv në kampionat. Verdheblutë kanë treguar se janë një kundërshtar i vështirë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme përballjen e radhës për skuadrën shkodrane. Një duel ku Vllaznia nuk mund të kënaqet me barazimin, por duhet të kërkojë me çdo kusht pikët e plota.
Për Csaba Lazslo dhe futbollistët e tij, kjo është gjithashtu një mundësi për të dhënë një reagim të fortë përpara tifozëve shkodranë. Kuqeblutë duhet të tregojnë se kanë cilësinë dhe karakterin e duhur për të dalë nga kjo situatë, duke bindur jo vetëm përmes lojës, por mbi të gjitha përmes rezultatit. Pikërisht kjo e fundit ka munguar në vazhdimësi gjatë javëve të fundit.
Për më tepër, përballja me Elbasanin mund të konsiderohet edhe një duel direkt në raport me objektivat për zonën e sipërme të renditjes. Një fitore do t’i jepte Vllaznisë jo vetëm tri pikë të rëndësishme, por edhe një shtysë morale për të besuar sërish te mundësitë e saj në këtë kampionat.
Për këtë arsye, sfida e javës së 11-të mund të kthehet në një pikë kthese për sezonin e kuqebluve. Në Shkodër pritet një Vllazni që duhet të marrë përgjegjësitë mbi vete dhe të japë përgjigjen e duhur në fushën e lojës. Në këtë moment, fitorja nuk është thjesht një objektiv, por një domosdoshmëri për skuadrën e drejtuar nga Csaba Lazslo.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


