Shkruar nga Endri ÇINARI
Edhe në repartin ofensiv, Vllaznia po përballet me një moment shqetësues. Kuqeblutë nuk kanë arritur të shënojnë në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, ndaj Laçit dhe Teutës, duke treguar vështirësi të dukshme në krijimin dhe, mbi të gjitha, në finalizimin e aksioneve.
Në pesë javët e para, shkodranët kanë realizuar vetëm 5 gola, një shifër që tregon qartë problematikat e skuadrës në fazën sulmuese. Në një kampionat ku çdo gol mund të bëjë diferencën, mungesa e efikasitetit përpara portës po kthehet në një tjetër element që e komplikon ndjeshëm startin e sezonit.
Edhe më shqetësues është fakti se nga sulmuesit e skuadrës, vetëm Bekim Balaj ka gjetur rrugën e rrjetës. Kapiteni realizoi dy herë në javën e parë, në barazimin 2-2 ndaj Skënderbeut, por që prej asaj ndeshjeje nuk ka ardhur më një gol nga faza sulmuese e kuqebluve.
Ndërkohë, dy afrimet e kësaj vere, Tounkara dhe Perez, ende nuk e kanë provuar shijen e golit të parë me fanellën e Vllaznisë. Pritshmëritë ndaj tyre janë të mëdha, sidomos në një moment kur skuadra ka nevojë për lojtarë që të marrin përsipër përgjegjësinë në zonën kundërshtare.
Problemi nuk lidhet vetëm me numrin e golave, por edhe me mënyrën se si Vllaznia po i ndërton dhe i përfundon aksionet. Në dy takimet e fundit, kuqeblutë kanë shfaqur apati në fazën sulmuese, duke e pasur të vështirë të prodhojnë raste të rrezikshme dhe t’i shndërrojnë ato në gola.
Kështu, pas problemeve të dukshme në mbrojtje, edhe sulmi po jep sinjale alarmi. Vllaznia ka realizuar vetëm 5 gola në pesë javë dhe tashmë duhet të gjejë zgjidhje përpara portës kundërshtare. Për një skuadër që kërkon të dalë nga ky start negativ, rikthimi i golit është një domosdoshmëri, ndërsa Tounkara, Perez, Balaj dhe pjesa tjetër e repartit ofensiv kanë përpara detyrën për të ndryshuar këtë trend.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


