FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORESkuadra thuajse e plotë, vetëm një mungesë tek Vllaznia

Skuadra thuajse e plotë, vetëm një mungesë tek Vllaznia

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po e shfrytëzon këtë periudhë pushimi të kampionatit për të rikuperuar energjitë dhe për të punuar me qetësi, teksa një nga lajmet pozitive për stafin teknik lidhet me gjendjen e grupit. Kuqeblutë janë thuajse totalisht të plotë, me pjesën më të madhe të futbollistëve që gëzojnë një gjendje të mirë fizike dhe janë larg problemeve të dëmtimeve.

Kjo është një situatë që merr edhe më shumë rëndësi për shkodranët, pasi dëmtimet kanë qenë një shqetësim më vete për klubin dhe stafin teknik gjatë dy viteve të fundit. Mungesat e shumta në periudha të ndryshme kanë ndikuar në alternativat e trajnerëve, ndërsa këtë herë situata paraqitet dukshëm më e qetë.

Për momentin, i vetmi futbollist që vijon të jetë në fazën e rikuperimit është Lirim Kastrati. Mesfushori kosovar mungon që prej muajit mars, kur një dëmtim e detyroi të ndërpresë aktivitetin dhe të nisë një periudhë të gjatë rehabilitimi.

Kastrati tashmë është në rrugën e rikthimit dhe pritshmëria është që gjatë muajit tetor të bashkohet gradualisht me pjesën tjetër të grupit. Megjithatë, rikthimi në stërvitje nuk do të thotë menjëherë rikthim në ndeshje, pasi futbollisti do të ketë nevojë për kohë për të fituar formën fizike dhe ritmin e konkurrimit.

Nëse gjithçka vijon sipas parashikimeve, Vllaznia pritet të ketë në dispozicion një grup të plotë edhe me rikthimin e Kastratit. Për një skuadër që ka pasur një start të vështirë në kampionat, pasja e sa më shumë alternativave është një element i rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit.

Kështu, përtej rezultateve dhe problemeve të shfaqura në pesë javët e para, gjendja fizike e futbollistëve është një prej pikave pozitive të kësaj periudhe. Stafi teknik tashmë mund të punojë me një grup thuajse të plotë, duke synuar që lojtarët të arrijnë formën optimale në momentin e rifillimit të kampionatit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments