Thomas Strakosha u largua pak javë më parë nga Lazio, me portierin kuqezi që ishte në përfundim të kontratës me klubin dhe aktualisht gjendet në merkato si futbollist i lirë.

Megjithatë, duket se situata me portën, e cila gjendet pa alternativa për momentin, ka bërë Lazion të mendojë lidhur me një rikthim të bujshëm të tijin.

Sipas “Il Tempo”, largimi i papritur i Pepe Reina, si edhe mungesa e akordit me portierin Karnezis, ka bërë Lazion të vendoset në kërkime për të zgjidhur këtë problem dhe t’i mundësojë trajnerit Maurizio Sarri alternativa për portën edhe gjatë fazës përgatitore.

Gardiani i Kombëtares së Shqipërisë për momentin, nuk ka akord për transferimin në një klub tjetër dhe në rast se Lazio do të transferonte si Karnezis, ashtu edhe atë, Strakosha do të niste kështu një balotazh të ri për vendin e titullarit te kryeqytetasit.

“E dashuroj me të vërtetë Italinë dhe atë që Lazio ka lënë brenda meje, shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës botës së Lacios për atë që ka bërë për mua në këto vite.

Vetëm falë këtij klubi, që sot mund të kurorëzoj një tjetër ëndërr, atë të luaj në një vend tjetër dhe të përballem me sfida të bukura. Për mua ishte shumë e vështirë që të largohesha nga bardhekaltrit pas më shumë se 10 vitesh”, tha ndër të tjera portieri Thomas Strakosha në fjalimin e lamtumirës me Lazion, një lamtumirë që mund të jetë shumë e shkurtër sesa pritej.
Maringlen ZHIVANI