Një staf i zgjeruar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, me në krye dy drejtuesit kryesor të këtij institucioni, po ndjekin nga afër Lojërat Mesdhetare, që po zhvillohen në Algjeri.

Rezultati i arritur nga një super kampione, siç është Luiza Gega, ku përveç medaljes së artë në garën e vrapimit 3000-metra me pengesa, përmirësoi edhe rekordin kombëtar dhe atë të garës, teksa i ka bërë krenarë të gjithë.

Natyrisht, që rekomandimi nga organizatorët e aktivitetit që dyshja Fidel Ylli dhe Gerti Shima të jenë zyrtarët e ndarjes së medaljeve për garën e 3000-metrave, ku në podiumin e vendit të parë ishte vetë shqiptarja e talentuar, Luiza Gega, ka qenë një vlerësim jo i vogël për delegacionin sportiv shqiptar.

Kështu me të drejtë për këtë rast, zyra e shtypit e KOKSH ndalet tek ky fakt, duke e shoqëruar edhe me dy foto aktuale nga ceremonia.

“Nder dhe krenari. Pikërisht në ditën kur Luiza Gega mori medaljen e artë, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar, z. Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm Gerti Shima patën privilegjin e veçantë të ndanin çmimet e fituesve për garën e 3000-metrave me pengesa.”, citohet në njoftimin në fjalë.
Maringlen ZHIVANI