Ashtu si një nga goditjet e tij të famshme, edhe jeta e Roberto Carlos mori papritur një tjetër drejtim. Ish-mbrojtësi legjendar i Interit, Real Madridit dhe kombëtares braziliane, kampion bote në vitin 2002, rrëfeu përvojën e tij në “Portugal Football Summit”:
“Kam pasur probleme me njerëz që më boshatisën llogarinë bankare. Për shkak të agjentëve dhe problemeve familjare, kam humbur 99% të gjithçkaje që kisha fituar nga futbolli”.
Sipas rrëfimit të tij, njerëz që i kishte besuar, menaxherë dhe madje persona të familjes i shkaktuan humbje të mëdha financiare, duke prekur pasurinë që kishte krijuar gjatë karrierës:
“Të enjten shkova të flija dhe të premten mora një grumbull dokumentesh, ekzistencën e të cilave nuk e dija. Në atë moment kuptova se kisha humbur të gjithë pasurinë time”.
Sot, në moshën 53-vjeçare, Roberto Carlos ia ka nisur nga e para. Ai është ambasador i Real Madridit në botë dhe përdor përvojën e tij si mësim për brezin e ri të sportistëve./telesport/


