Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia vijon të vuajë në transfertë, aty ku rezultatet pozitive kanë munguar prej një periudhe të gjatë. Humbja 3-1 ndaj Egnatias, në javën e shtatë të kampionatit “Abissnet Superiore”, ishte një tjetër dëshmi e vështirësive që skuadra shkodrane po has larg stadiumit “Loro Boriçi”. Përtej forcës së kundërshtarit, që mbetet një prej ekipeve më të konsoliduara të futbollit shqiptar, kuqeblutë duhet të përballen edhe me një statistikë që nuk është aspak në favorin e tyre.
Për të gjetur fitoren e fundit të Vllaznisë në transfertë, duhet të kthehemi në sezonin e kaluar, më konkretisht më 4 prill 2026. Në atë datë, shkodranët triumfuan 0-2 ndaj Partizanit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të kampionatit. Një sukses i rëndësishëm për kuqeblutë, të cilët gjetën te Kevin Dodaj protagonistin absolut të asaj përballjeje, me sulmuesin që realizoi të dy golat dhe i dhuroi skuadrës tri pikë me peshë.
Që prej asaj fitoreje, megjithatë, Vllaznia nuk ka arritur të përsërisë një rezultat të tillë jashtë Shkodrës. Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj pa një triumf në transfertë për nëntë herë kampionët e Shqipërisë, një periudhë që nxjerr në pah një prej problemeve që skuadra duhet të zgjidhë sa më shpejt. Një statistikë që bëhet edhe më shqetësuese kur merret parasysh se objektivat e një ekipi pretendent kërkojnë rezultate të qëndrueshme, pavarësisht vendit ku zhvillohet ndeshja.
Disfata e fundit në Rrogozhinë e konfirmoi edhe një herë këtë vështirësi. Edhe pse Vllaznia arriti të gjente rrugën e rrjetës me Daniel Perez, i cili realizoi golin e tij të parë zyrtar me fanellën kuqeblu, skuadra nuk mundi të shmangte humbjen 3-1. Goli i sulmuesit venezuelian ishte një moment pozitiv në aspektin individual, por nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e takimit dhe për t’i dhënë fund serisë negative të rezultateve në transfertë.
Për Vllazninë, problemi nuk lidhet vetëm me një kundërshtar të caktuar, por me pamundësinë për të marrë pikë rregullisht larg shtëpisë. Në një kampionat ku rivaliteti është i fortë dhe diferencat mes skuadrave mund të përcaktohen nga pak pikë, rezultatet në transfertë janë thelbësore për të qëndruar në garën për objektivat sezonalë. Çdo udhëtim pa pikë e vështirëson më tej situatën e shkodranëve, të cilët duhet të gjejnë mënyrën për të qenë më të sigurt dhe më efikasë në ndeshjet jashtë fushës së tyre.
Tashmë, sfida e trajnerit Csaba Laszlo dhe e skuadrës është të ndryshojnë sa më shpejt këtë tendencë. Fitorja ndaj Dinamos në javën e gjashtë tregoi se Vllaznia mund të reagojë dhe të marrë rezultate pozitive, por humbja me Egnatian riktheu pikëpyetjet mbi vazhdimësinë. Për të synuar një sezon të suksesshëm, kuqeblutë nuk mund të mbështeten vetëm te pikët e marra në “Loro Boriçi”. Fundi i pritjes për një fitore në transfertë është kthyer në një objektiv më vete, ndërsa çdo ndeshje e radhës jashtë Shkodrës do të jetë një tjetër mundësi për të thyer një seri që po zgjatet më shumë seç duhet.
Burimi Gazeta “Shkodra Sport”


