Sigurisht që nuk mund të harrohet incidenti i paradokohshëm televiziv me trajnerin e Vllaznisë, Edi Martini. Puna shkoi deri deri aty, saqë për shkak të cënimit të dinjitetit që iu bë, Martini nuk pranoi më të intervistohej nga Televizioni Shqiptar.
Këto, merret me mend se janë ngjarje krejt të papranueshme që për fat, vijnë prej mungesës së etikës së gazetarisë të drejtuesve të rubrikave televizive apo të analistave televizivë në Shqipëri. Ndërkaq, të dielën që shkoi, në një nga rubrikat e Televizionit Shqiptar ndodhi prap një lloj qëndrimi po i papranueshëm, tash ndaj trajnerit të Partizanit, Florin Bratu.
Sapo kishte humbur Partizani, ai “u kërcënua” (në thojza kjo) prej një pyetjeje disi nënkuptuese prej drejtimit të rubrikës, pak a shumë me këto fjalë: “…Në 6 ndeshje vetëm 4 pikë. Vendi i parafundit. Nuk e konsideroni fare dorëheqjen?” E rëndë kësisoji, apo jo? Eshtë pra, fjala për dorëheqjen e tij si trajner i Partizanit.
Trajneri Bratu mbeti i shtangur, çka u pasqyrua qartë në fytyrën e shikimin e tij fort të prekur. Një befasim i vërtetë! Florin Bratu, megjithate, e ruajti në mënyrë të shkëlqyeshme etikën e gazetarisë – edhe pse një gjë e tillë nuk i takonte atij. Dhe e ruajti qetësinë deri aty saqë tha se: “…Jam i gatshëm për të folur me drejtuesit për të marrë vendimin e duhur. Por është shumë e vështirë të flas tani”. Mjaftojnë këto fjalë të fundit – “shumë e vështirë të flas tani” – për të hedhur poshtë me shumë etikë ate për çka ai ishte sulmuar nga drejtimi i rubrikës në fjalë.
Natyrisht, merret me mend që trajnerët mund të ndërrohen kurdoherë, Madje po aq merret me mend se trajnerët mund të ndrrohen edhe me nxitjen e kritikave të gazetarisë. Por është diçka krejt e papranueshme që kjo të nxitet haptas prej drejtuesve të rubrikave televizive të cilët simbas etikës së gazetarisë, veç duhet të menazhojnë drejtimin po etik të rubrikës. Nëse ata mund t’i pëlqejnë këto lloj “kërcënimesh” apo “ngacmimesh” për dorëheqje të trajnerit, atëherë do të ishte shumë më mirë që këta drejtues ta lëshojnë vendin e drejtimit të emisionit, e të shndërrohen në analistë, duke u ulur në karrigen aty afër të bashkëanalistëve.
Për çudi ndodhi që, pa kaluar 24 orë, trajneri Brati u shkarkua. E kjo nuk mund të na bëjë mendojmë se në RTSH ishte marrë informacioni për një shkarkim të mundshëm të tij. Ndonëse për temën tonë, kjo nuk ka rëndësi. Rëndësika ajo tjetra që na thotë se t’i kërkosh kësisoji dorëheqjen, si në një gjyq, një trajneri i cili sapo ka humbur ndeshjen, kjo është tejet e papranueshme. Ai është i mërzitur fort nga humbja, mundohet të spjegohet dhe ti pamëshirë e nxit të dorëhiqet!…
Me një fjalë, ti drejtuesi i një rubrike televizive edhe pse nuk je as president dhe as drejtor i klubit, po ia kërkon po ti, pushimin nga puna! Dhe as që të shkon nëpër mend, bie fjala, se nga puna mund të pushohet , edhe një gazetar, drejtues a analist i studios televizive ngaqë nuk e drejton si duhet rubrikën, e pra nuk ka përparuar assesi profesionalisht. Kam qenë nja 8-9 vjet anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH.
Asokohe këto mënyra qenë luftuar mjaft. Madje, nëse kishte shfaqje të tilla të tyre, jemi ndalë dhe i kemi kritikuar e analizuar deri në hollësi. Incizimet apo raportet e trajtesave kësisoji për përmirësimin e vazhdueshëm edhe të rubrikave sportive, janë në arkivin e mbledhjeve të Këshillit Drejtues të RTSH. Nuk e di se çfarë qëndrimesh mbahen sot për mënjanimin e këtyre dukurive që kanë të bëjnë me etikën e gazetarisë, pra edhe të asaj televizive.
Etikë kjo, që një deontologji e gazetarisë e thotë qartë: “Liria e informacionit dhe e kritikës ka dy kufij të paprekshëm: respektin ndaj personit dhe ndaj vërtetësisë të esencës së fakteve”. Eshtë disi mjerane, që në gazetarinë televizive shqiptare, në rubrika e emisione, kushedi sa here, prej drejtuesve në studio, trajnerët “kërcënohen” me retorikën e kërkesës për dorëheqje. Duke u cënuar kështu, jo pak publikisht, dinjiteti i trajnerit. Dhe dihet, sidomos kur sapo mbërrijnë humbjet e ndeshjeve, atyre iu kërkohet dorëheqja mû në rubrikat televizive.
Dhe gjithmonë kryesisht vetëm trajnerëve. Lojtarëve, atyre që luajnë drejtpërsëdreji në fushën e blertë, gati kurrë. Vetëm trajnerët përherë. Sigjurisht pa u harruar për asnjë çast edhe trajnerët e Kombëtares. Pa mëshirë edhe këto. Një tematikë fort e dashur e rubrikave të Kombëtares kjo, të cilat fillojnë e mbarojnë kryesisht me trajnerin. Gati kurrë me gabimet e përgjegjësitë jo të pakta të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në Itali, përshembull – dihet se televizionet e saj ndikojnë tejet në gazetarinë sportive televizive të Shqipërisë (madje imitohet keqas teksa iu drejtohen trajnerëve shqiptarë me “mister”) – kanë krijuar Kodin e Media-Sport, i cili në një nen të tij thotë kështu: “Media – Sport” iu vë përballë gazetarëve përgjegjësinë e një korrektese për drejtimin e debateve televizive dhe radiofonike me personazhet e pranishën në studio ose të lidhur me to përmes një mënyre tjetër. Televizionet apo radiot që nuk respektojnë këte Kod, iu parashikohet deri dhe pezullimi i të drejtës të transmetimeve të tilla”. Për një gjë të vjen keq.
Në Shqipëri, në shtypin e saj, në televizionet e saj, prej kohësh nuk ka më asnjë seminar, asnjë bashkëbisedim kritik, asnjë shkëmbim përvoje, asnjë shqetësim për formimin etik në gazetarinë televizive. Ka vetëm emisione, deri dhe të pamshirshëm, deri dhe me një vetsiguri apo vetkënaqësi, pse jo, disi dikatoriale të drejtuesve, të cilët sikur të urdhërojnë që të bindesh se “vetëm unë di” e askush tjetër.
Sidoqoftë, duke u kthyer te tema e ndërrimeve të trajnerëve për 1 apo qoftë dhe 4 humbje rresht, madje deri pa filluar mirë Kampionati, nuk po zgjatem më tej, por po botohet bashkangjitur këtu për herë të parë një editorial i Rubrikës Sportive të RTSH të vitit 2011. Një editorial, si të thuash, i një historie kritike të temës. Për të kujtuar se qëndrimi i pamshirshëm apo dhe “kërcënimi” ndaj trajnerëve –- lulëzon pa ia nda në futbollin shqiptar.


