Vllaznia në basketboll për femra është rikthyer tek fitorja në kampionat. Pasditen e sotme ajo ka fituar ndaj Studentit me rezultatin 63-61 në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit.
Duhet thënë se pjesa e parë ka qenë më e mirë për vendaset të cilat i kanë mbyllur dy periodat e saj me shifrat 19-17 dhe 19-15 duke shkuar kësisoj në pushimin e takimit me një avantazh prej 6 pikësh ndaj shkodraneve.
Por këta të fundit kanë reaguar në 10 minutëshin e tretë të ndeshjes të cilin e kanë fituar me shifrat 21-7 dhe kjo ka bërë që ata të marrin avantazhin dhe administrimin e lojë dhe ndonëse periodën e fundit e kanë humbur 16-10, sërish ia kanë dalë ta fitojnë ndeshjen me dy pikë diferencë.
Pikëshënuesja më e mirë për Vllazninë ashttu si zakonisht ka qenë edhe këtë herë Bernada Rreshpja e cila sot shënoi 19 pikë, ndërsa pikët e tjera u shënuan nga Anisa Bokrina (15), Melida Hyka (14), Ingrid Dashja (9), Sindi Kryeziu (4) dhe Medina Hykaj (2).
Pas tre javësh kampionat, Vllaznia ka arritur të marrë dy fitore (me Partizanin dhe Studentin) dhe një humbje (me Flamurtarin) duke grumbulluar deri tani 5 pikë dhe ndodhet e pozicionuar në vendin e tretë të renditjes.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


