Ndërtimi i dy fushave të futbollit që janë kusht për zhvillimin e ndeshjeve të Europianit U21 edhe në Shkodër, po kthehet në një telenovelë të vërtetë. Federata Shqiptare e Futbollit dha aprovimin që të bëhet rikonstruksioni i dy fushave sportive të kompleksit sportiv “Zmijani”, në bashkëpunim edhe me Bashkia Shkodër dhe vetë këtë kompleks.
Por duket se edhe një projekt- ide e tillë ka rënë poshtë. Kjo sepse Këshilli Bashkiak Shkodër nuk ka qenë dakord me investimin në një kompleks privat dhe si rrjedhojë për anëtarët e tij më mirë është gjetja e një toke shtetërore në mënyrë që ky investim t’i qëndrojë në vazhdimësi futbollit të këtij qyteti.
Dhe në fakt territori për të bërë këto dy fusha më në fund duket se është gjendur. Në fakt ai ka qenë i gjetur. Prej vitesh, është presidenti i ekipit “Juban Danja” Ferdinand Jaku i cili ua ka propozuar drejtuesve të pushtetit lokal ndërtimin e tyre në një tokë që gjendet pranë Varrezave të Dëshmorëve.
Ndërkohë disa muaj më parë, ka qenë edhe kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër Lazer Matija që ua ka sugjeruar drejtuesve të Bashkisë këtë territor dhe duket se më në fund ata janë bindur se investimi mund të bëhet aty.
Madje, mund të jenë më tepër se dy fusha që mund të ndërtohen, ashtu siç mund të ketë edhe të tjera ambiente ndihmëse dhe kjo padyshim që do të ishte një investim që do t’i bënte mirë futbollit shkodran dhe njëkohësisht do ta shndërrohet atë ambient, nga një vend mbetjesh kryesisht, në një kompleks ku do të mblidheshin gjithë fëmijët e Shkodrës.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”
Më poshtë keni edhe një video që e përshkruan qartë vendimin se ku planifikohet të ndërtohen këto fusha sportive.


