FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVIDEO/ Laszlo: Objektivi i Vllaznisë? Nëse dikush mundohet të fluturojë, unë e...

VIDEO/ Laszlo: Objektivi i Vllaznisë? Nëse dikush mundohet të fluturojë, unë e kap dhe e ul me këmbë në tokë.

Trajneri i Vllaznisë, Çaba Laszlo, është shfaqur sot para mediave në konferencë, duke folur për ndeshjen e nesërme ndaj Vorës, si dhe risitë në klubin kuqeblu.

I kënaqur me bilancin 6 pikë në 3 ndeshjet që ju drejtoni Vllazninë?
Po dhe jo.

E ke fjalën për ndeshjen me Egnatian?
Shihni, jam shumë i kënaqur me shumë gjëra, për shembull, me mënyrën se si u përgjigj ekipi, që është më e rëndësishmja për momentin. Ndeshja ndaj Egnatias padyshim i përket së kaluarës, duhet të harrojmë gjithçka. Nuk mund të mendojmë gjithmonë për të kaluarën nëse duam të ndërtojmë të ardhmen. Ndaj, tani jam i përqendruar te ndeshja e nesërme dhe do të jetë padyshim një ndeshje krejtësisht e ndryshme nga ajo e mëparshmja. Për këtë ndeshje duhet të jemi të përgatitur fizikisht dhe mendërisht, pasi është një situatë e re për ekipin. Tre ndeshje brenda javës, ndaj duhet të ruajmë ekuilibrin e mirë. Kemi këtë ritëm për të përballuar, për këtë arsye shpresoj që ekipi të jetë i përgatitur si mendërisht, ashtu edhe fizikisht. Ndeshja duhet të luhet në një stadium me bar artificial. Janë shumë gjëra të reja. Duhet të përshtatemi dhe kjo është ajo që desha t’ju tregoja tani.

Vora, rivale direkte?
Për momentin nuk mund ta kundërshtoj si ide, pasi jemi të dyja bashkë në tabelë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dy ekipet. Duhet të stabilizojmë pozicionin, ndoshta të ngjitemi më lart, por gjithmonë mendoj se nuk duhet të flasim për tabelën e klasifikimit, pasi e dimë se duhet të mbledhim ende shumë pikë. Të jem i sinqertë, shumëkush më pyeti kur erdha këtu dhe tha që nuk jemi ekipi favorit në tri ndeshjet e para. Edhe në këtë ndeshje nuk shkoj si ekip favorit, por të tregoj që jemi ekip konkurrues, nëse marrim një pikë apo tri pikë, është një ndryshim i madh. Për natyrën që kam, dua të fitoj çdo ndeshje, por ndonjëherë, edhe kur merr një pikë, thua se është fantastike. Por aktualisht kam folur për situatën tonë dhe duhet të mendoj vetëm për tri pikët. Unë mendoj se është një mesazh shumë i rëndësishëm për ekipin, sepse duhet ta dijë që kemi besim. Jemi një ekip konkurrues ndaj kujtdo. Në fund të ditës, çfarëdo që të dalë, nuk mund ta kontrolloj. Por gjatë ndeshjes mund të kontrollojmë shumë gjëra dhe kjo është ajo që dua të shoh nga ekipi im. Te ndeshja me Egnatian më thanë që kemi luajtur futboll të mirë dhe kemi krijuar raste. Por në fund xhepat ishin bosh, nuk kishim pikë. Nuk ka rëndësi, nëse do të më thoshin se nuk ishte ndeshje e mirë dhe mora tri pikët, a je i lumtur, unë do të thosha: “Po”. Tani mendoj vetëm për situatën aktuale. Është shumë e rëndësishme si mesazh për të gjithë që duhet të qëndrojmë me të dyja këmbët në tokë dhe, nëse dikush mundohet të fluturojë, unë e kap që ta ul me këmbë në tokë.

Situata e Hadrojt?
Dje ai ishte në stërvitje. Nuk mund të them historinë e plotë, por e kam pasur në radarët tanë prej kohësh. E njoh nga kontaktet që kam në Ukrainë, kam folur me mjaft njerëz. Mendoj se mund të bëhet një lojtar shumë i rëndësishëm, sidomos për ekipin tonë. Ka nevojë për kohë, 2-3 javë, por padyshim jam i lumtur që kam mundësinë të kem një lojtar që ka qenë pjesë e kombëtares, që nuk është në moshë të madhe dhe që është edhe nga veriu. Ai e ka marrë vendimin, ashtu si ne, dhe shpresojmë që sa më shpejt ta shohim në fushë. Ai do të na ndihmojë me eksperiencën e tij.

A u rrezikua me Kastratin?
Nuk ishte një rrezik për të. Pasi duhet të kuptoni diçka: futbolli nuk është vetëm futboll, është një mënyrë jetese. Ky djalë, padyshim, është për herë të dytë që ka një dëmtim të njëjtë. Është një nga dëmtimet më të vështira për një futbollist. Në mendjen e tij është gjithmonë pyetja: “A mund të kthehem përsëri?”. Unë desha t’i tregoja që i përket kësaj familjeje, është i rëndësishëm për ne dhe do të kujdesem për të. Nëse rezultati nuk do të ishte në favorin tonë, nuk do ta fusja në fushë, por ishte një mesazh për të gjithë: kujdesemi dhe mendojmë për të, nuk e lëmë vetëm. Ky është mesazh për të gjithë, që nëse je me ne dhe ke një problem, të ndihmojmë. Jemi të gjithë bashkë dhe jemi një familje. Mund të them që 100% nesër nuk do ta rrezikoj, edhe për shkak të terrenit sintetik. Atij i duhet edhe pak kohë, hap pas hapi, që të bëhet pjesë e plotë e ekipit në përditshmërinë e tij.

Vizita në shtëpinë e Balajt?
Mendoj gjithashtu se jemi të gjithë njerëz dhe gjëja më e rëndësishme është që dikush krijon familje. Është shumë interesante, sepse Bekim Balaj, gjysmë viti më parë, ishte vetëm një djalë. Tani është plotësisht ndryshe, është baba, ka një përgjegjësi tërësisht ndryshe dhe ai e kupton se sa e rëndësishme është të kesh familjen tënde. I thashë dje që je pjesë e një familjeje tjetër gjithashtu, që kujdeset për ty. Ky është cikli i jetës. Për këtë, uroj që çdo lojtar të krijojë familje, sepse e kupton më mirë se sa i kujdesshëm duhet të jetë me punën. Kjo është e rëndësishme për gjithë ekipin, që ta dinë se këtu nuk jemi vetëm për futboll.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments