Trajneri i njohur Agim Canaj ka analizuar skuadrat deri në këtë pikë të kampionatit, duke dhënë një panoramë të përgjithshme, por edhe duke u ndalur te disa nga skuadrat më në formë.
“Në aspektin pozitiv, do të thosha që është një kampionat që ka filluar me rivalitet. Ka filluar me rivalitet, sepse dy nga rivalët kryesorë të vjetshëm, si Elbasani dhe Vllaznia, nuk janë në situatat e tyre të zakonshme. Edhe Partizanin, që është një skuadër elitare, do ta fusja te këto skuadra, sepse edhe ai ka qenë, pavarësisht se nuk mori pjesë, një skuadër që ka pasur cilësi dhe peshën e saj në kampionat. E them këtë sepse Egnatia dhe Dinamo janë në ato nivele që kanë qenë edhe vjet.
Egnatia është pak më mirë, kurse ajo që të surprizon është Teuta, e cila, me një investim shumë të madh, e ka shpërblyer këtë investim shumë shpejt. Do të thosha se akoma nuk e kemi parë fytyrën e vërtetë të Teutës. E them në aspektin sportiv, sepse humbjen e parë e mori nga kampionët, nga Egnatia, dje. Tani do të shikojmë nëse do të ringrihet shpejt apo mund të marrë goditje pas goditjeje dhe të vazhdojë krizën. Këtu do të duket. Kurse për pjesën tjetër, do të thosha se shikoj një Tiranë që, ndryshe nga vjet, ka stabilizuar diçka. Nuk është ajo Tirana e vjetshme që shkoi deri në limite për të rënë nga kategoria, por është një Tiranë që, me pak kujdes, mund të jetë aty afër pesë ekipeve të para për të konkurruar, në qoftë se edhe në janar do të rikuperojë diçka.
Më vjen keq për Elbasanin, sepse është një skuadër që në dy vjet ka qenë gjithmonë aty për të marrë kampionatin. Por unë do të veçoja diçka tjetër. Kishte një trajner që ishte mësuar me të, kishte filozofi në e vet, por ndryshimi i një grupi të madh lojtarësh, nuk e di pse ndodhi. Ndodhi sepse nuk ishin treguar të zgjuar në marrjen e lojtarëve dhe në kontratat e tyre. Kjo ikje e madhe, pavarësisht se është zëvendësuar me lojtarë cilësorë, nuk ka gjetur akoma ritmin e duhur në kampionat. Pavarësisht se trajneri e justifikoi me faktin se Elbasani është një skuadër e investuar mirë, ardhja e rezultateve ndikon drejtpërdrejt te trajneri.
Do të thosha se kjo është situata, por prapë e shikoj Elbasanin një shkallë më poshtë, pavarësisht se fitoi me Partizanin, me këto polemikat e veta. Kurse, për Vllazninë, që gjithmonë e them se e dëshiroj, pasi e kam drejtuar tri herë në periudha të ndryshme dhe ka një tifozëri të mrekullueshme, më vjen keq që nuk po gjen ekuilibrat e duhur dhe është në një situatë shumë të vështirë. Pjesa tjetër, Vora, Laçi dhe Skënderbeu, janë katalizatorë. Janë skuadra që gjithmonë do të luajnë për kategorinë dhe për më përpara. Janë skuadra që ruajnë këto pozicione, kurse ato që përmenda më sipër kanë qenë skuadra që gjithmonë kanë drejtuar kampionatin dhe pretendojnë të arrijnë një vend në Kupat e Europës.”


