Në ndeshjen e së dielës ndaj Skënderbeut, duhej ta merrte ai çmimin e “Lojtarit të ndeshjes”. Kjo falë 4-5 pritjeve shumë vendimtare që bëri sidomos në pjesën e parë, duke e mbajtur në lojë Vllazninë dhe ajo ia doli të barazonte në të dytën dhe të kthehej me një pikë nga Korça.
E kemi fjalën për portierin Aron Jukaj. Shkodrani 21 vjeçar në fakt nuk e mori këtë çmim sepse specialistët nga zyra e FSHF që e përcaktojnë fituesin e këtij çmimi simbolik, mesa duket kishin parë vetëm pjesën e dytë të ndeshjes, aty ku Vllaznia dominoi dhe mbrojtësi i Skënderbeut Lagonidis u bë pengesë për mosshënimin e golit të dytë të shkodranëve.
Dhe kjo ka mjaftuar që ai të vlerësohej si më i miri i ndeshjes!!! Megjithatë Jukaj ka marrë çmimin e vërtetë, përgëzimet e stafit teknik dhe shokëve të ekipit, por edhe të tifozëve shkodranë. Lojtari i datëlindjes 2005 po tregon gjithnjë e më shumë se e meriton portën e kuqebluve.
Besimi që po i jep stafi, e kanë motivuar edhe më shumë atë. Sigurisht që edhe do të gabojë, megjithatë Aron Jukaj pritet të jetë një pikë e fortë e Vllanisë përgjatë gjithë sezonit sepse i ka aftësitë dhe gjithçka tjetër për të qenë numri 1 i Vllaznisë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


