Shkruar nga Endri ÇINARI
Aron Jukaj po konfirmohet si një nga pikat më të forta të Vllaznisë në këtë periudhë të kampionatit. Portieri 21-vjeçar ka arritur të fitojë vendin e titullarit dhe, me paraqitjet e tij, po dëshmon se është një garanci për skuadrën shkodrane, edhe në një moment kur rezultatet e ekipit nuk janë ato që priten.
Sezonin e nisi si zgjedhje e dytë, pas mbërritjes së portierit moldav Avram, i cili u aktivizua si titullar në katër javët e para të kampionatit. Megjithatë, me ardhjen e trajnerit Csaba Laszlo në krye të skuadrës, situata ndryshoi për të riun shkodran, i cili arriti të marrë gradualisht rolin e titullarit.
Që prej këtij momenti, Jukaj është shndërruar në një nga futbollistët që ka bindur më së shumti nën drejtimin e teknikut hungarez. Reagimet e tij, siguria në ndërhyrje dhe pritjet në momente të vështira e kanë bërë një element të rëndësishëm për kuqeblutë, duke fituar besimin e stafit teknik.
Madje, në dy fitoret e arritura ndaj Tiranës dhe Dinamos, ku Vllaznia arriti të mbante portën të paprekur, kontributi i 21-vjeçarit ishte i jashtëzakonshëm. Në të dyja takimet, shkodrani tregoi se mund të bëjë diferencën në prapavijë, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të rezultateve pozitive të shkodranëve.
Edhe në përballjen e fundit ndaj Skënderbeut, ku Vllaznia u ndal në barazimin 1-1, portieri shkodran ishte sërish në lartësinë e duhur. Me disa pritje vendimtare, ai mbajti ekipin në lojë deri në fund dhe, nëse kuqeblutë do të kishin dalë me tri pikë nga Korça, Jukaj do të kishte qenë padyshim një nga kandidatët kryesorë për titullin e lojtarit të ndeshjes.
Në këtë situatë, nëse Vllaznia kërkon të shfaqë një fytyrë tjetër në javët e ardhshme, një pikënisje e rëndësishme mbetet porta. Aron Jukaj po bind me paraqitjet e tij dhe momentalisht përfaqëson një nga garancitë më të mëdha të skuadrës shkodrane. Një siguri që kuqeblutë duket se e kanë gjetur pikërisht te 21-vjeçari.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


