Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë ndeshjen vendimtare për Grupin C1 në Ligën e Kombeve pa praninë e tifozëve në stadium. Këtë e ka konfirmuar FSHF, e cila ka bërë të ditur se mbetet në fuqi vendimi i UEFA-s për Bjellorusinë, me të cilën kuqezinjtë luajnë ndeshjen e fundit në grup.
“Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit të Grupit C1 në Ligën C të UEFA Nations League ndaj Bjellorusisë, më 15 nëntor, në stadiumin “Illovszky Rudolf” të Budapestit, Hungari. Takimi do të zhvillohet pa praninë e spektatorëve, për shkak të sanksioneve të vendosura nga UEFA ndaj Bjellorusisë.
Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të marrë më 3 mars 2022 dhe që është ende në fuqi, klubet dhe ekipet kombëtare bjelloruse janë të detyruara t’i zhvillojnë ndeshjet si pritëse në terrene neutrale. Po ashtu, vendimi parashikon që këto ndeshje të luhen pa praninë e tifozëve.
Për këtë arsye, edhe përballja Bjellorusi – Shqipëri në Budapest nuk do të jetë e hapur për publikun. Tifozët shqiptarë nuk do të kenë mundësi ta ndjekin ndeshjen nga shkallët e stadiumit, pavarësisht se takimi do të zhvillohet në një impiant jashtë territorit të Bjellorusisë”, shkruhet në njoftimin e FSHF.


