FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORELuhatjet në rezultate, pushimi vjen në momentin e duhur për Vllazninë

Luhatjet në rezultate, pushimi vjen në momentin e duhur për Vllazninë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pushimi i kampionatit duket se vjen në një moment të përshtatshëm për Vllazninë. Kuqeblutë do të kenë disa ditë në dispozicion për të marrë frymë pas një periudhe me rezultate të luhatshme, ndërsa ndalesa e kampionatit i jep stafit teknik mundësinë për të punuar më qetë me skuadrën.

Fitorja 1-0 ndaj Elbasanit në “Loro Boriçi” ishte një rezultat i rëndësishëm për shkodranët, të cilët arritën të largohen nga fundi i renditjes. Goli i Uldedajt i dha Vllaznisë tri pikë me peshë, në një takim ku më shumë se mënyra e lojës, rëndësi kishte rikthimi te fitorja dhe marrja e një rezultati pozitiv.

Megjithatë, pavarësisht këtij triumfi, kuqeblutë ende nuk kanë gjetur stabilitetin e kërkuar. Javët e para të kampionatit kanë treguar luhatje në paraqitje dhe rezultate, ndërsa gabimet e përsëritura kanë bërë që skuadra të mos pozicionohet aty ku pritet prej saj.

Pikërisht për këtë arsye, ditët e pushimit mund të shërbejnë për një kolaudim të plotë të skuadrës. Trajneri Laszlo do të ketë mundësi të punojë me grupin, të korrigjojë problemet e evidentuara në ndeshjet e fundit dhe të përcaktojë më qartë alternativat që do të ketë në dispozicion për vazhdimin e sezonit.

Synimi është që pas rikthimit të kampionatit të mos përsëriten të njëjtat gabime. Vllaznia ka nevojë për më shumë vazhdimësi, qoftë në aspektin e rezultateve, qoftë në paraqitjet brenda fushës, në mënyrë që të nisë një ngjitje graduale në renditje dhe të rikuperojë terrenin e humbur në javët e para.

Objektivat e Vllaznisë mbeten ambicioze dhe një seri e mirë rezultatesh mund ta ndryshojë ndjeshëm situatën. Pushimi i kampionatit vjen si një mundësi për të riorganizuar skuadrën dhe për të përgatitur një Vllazni më të qëndrueshme, që në rikthimin në garë të synojë hapa konkretë drejt pjesës më të lartë të tabelës.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments