Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia nuk do t’a lërë fundjavën të kalojë pa një angazhim. Shkodranët do të zbresin në fushë ditën e shtunë, ku në stadiumin “Reshit Rusi”, në orën 13:30, do të presin Besëlidhjen në një ndeshje miqësore që pritet të ketë rëndësi për të dyja skuadrat. Përballja mes dy ekipeve vjen në një fundjavë pushimi për shkak të angazhimeve të kombëtares dhe ndërprerjes së kampionateve respektive.
Në vend që ta shfrytëzojnë këtë periudhë vetëm për pushim, Vllaznia dhe Besëlidhja kanë zgjedhur të ruajnë ritmin e konkurrimit, duke zhvilluar një takim që do t’u shërbejë trajnerëve për të testuar skuadrat. Për kuqeblutë, megjithatë, sfida në “Reshit Rusi” merr një tjetër dimension, pasi trajneri Csaba Laszlo do të ketë mundësinë të shohë nga afër disa prej futbollistëve që kanë pasur më pak minuta në dispozicion.
Kjo miqësore mund të jetë një mundësi e mirë edhe për lojtarët që kanë kaluar probleme fizike gjatë javëve të fundit dhe që janë në proces rikuperimi. Stafi teknik do të ketë mundësinë të vlerësojë gjendjen e tyre, përpara se të marrë vendime për rikthimin në ritmin normal të kampionatit. Njëkohësisht, ndeshja do të shërbejë për të konsoliduar grupin dhe për të ruajtur ritmin në një periudhë pa ndeshje zyrtare.
Por vëmendja kryesore do të jetë tek ata futbollistë që deri tani nuk kanë pasur shumë hapësira nën drejtimin e trajnerit hungarez. Për ta, përballja me Besëlidhjen është një shans për të treguar se mund të jenë pjesë e planeve të Laszlos në vazhdim. Minutat në dispozicion do të jenë të rëndësishme, pasi çdo paraqitje mund të ndikojë në hierarkinë e skuadrës.
Në këtë aspekt, miqësorja vjen edhe në një moment interesant për Vllazninë, duke parë se merkatoja e janarit po afrohet. Largimet apo ndryshimet në organikë mbeten një mundësi dhe pikërisht për këtë arsye, disa prej lojtarëve që nuk janë konsideruar rregullisht do të kërkojnë të shfrytëzojnë këtë mundësi për të bindur trajnerin se meritojnë një tjetër shans.
Kështu, përballja e së shtunës me Besëlidhjen nuk do të jetë thjesht një test miqësor për kuqeblutë. Në “Reshit Rusi”, Laszlo dhe stafi i tij do të kenë mundësinë të shohin nga afër alternativat e skuadrës, gjendjen fizike të disa lojtarëve dhe, mbi të gjitha, nëse ndonjë prej atyre që deri tani kanë mbetur në plan të dytë mund të ndryshojë statusin e tij në vazhdim të sezonit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


