Ronaldinho është rikthyer në Itali dhe përgatitet të zbresë sërish në fushën e lojës, 11 vite pas tërheqjes nga futbolli i luajtur. Në moshën 46-vjeçare, legjenda braziliane, ish-yll i Barcelonës dhe Milanit, do të debutojë me fanellën e Ravenna-s në derbin kundër Forlì-t.
Ronaldinho mbërriti këtë të premte, rreth orës 15:00, në aeroportin e Forlì-t, me një fluturim nga Barcelona. Në aeroport e pritën Lorenzo Tonetti, përgjegjës për marrëdhëniet me klubin verdhekuq, si dhe presidenti i Ravenna-s, Ignazio Cipriani.
Debutimi i tij është programuar për të dielën, në orën 17:30, në stadiumin “Bruno Benelli”, ku Ravenna do të përballet me rivalët e Forlì-t. Një rikthim i veçantë për brazilianin, i cili do të ketë mundësinë të dhurojë sërish spektakël për tifozët, pavarësisht viteve që kanë kaluar nga ndeshja e tij e fundit si profesionist.
Ronaldinho do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me skuadrën të shtunën në mëngjes. Trajneri i Ravenna-s, Andrea Mandorlini, ka zbuluar gjithashtu se si planifikon ta aktivizojë yllin brazilian në këtë përballje.
“Do të hyjë në fushë në pjesën e dytë. Në çfarë pozicioni? Atje përpara, do të jetë i lirë të gjejë pozicionin e tij, ashtu siç duhet të ndodhë me kampionët e këtij niveli”, deklaroi Mandorlini për “Sky”.
Kështu, tifozët e Ravenna-s do të kenë mundësinë të shohin nga afër një prej futbollistëve më spektakolarë të historisë së futbollit, fituesin e Topit të Artë në vitin 2005, i cili rikthehet në fushë për një paraqitje të veçantë në derbin ndaj Forlì-t.


