Vllaznia e femrave ka pësuar sot një tjetër humbje në kampionat, këtë herë ndaj Partizanit. Sfida e luajtur pasditen e sotme në Kamëz është mbyllur me fitoren e vendaseve me rezultatin e ngushtë 1-0, ku fatin e saj e vendosi goli i shënuar nga Çifligu në minutën e 76-të të ndeshjes.
Por duhet thënë se kjo humbje ka qenë mëse e pritshme për Vllazninë. Deri në orët e para të mëngjesit të sotëm ka patur një dilemë nëse do ta luante këtë ndeshje. Kjo sepse skuadra ka mbetur pa lojtare, ngaqë të gjitha lojtaret e huaja janë larguar dhe po ashtu edhe Berisha, Leba, Rushaj e ndonjë tjetër.
Në këto rrethana, trajneri Leka e ka plotësuar skuadrën me lojtare 15, 16 apo 17 vjeçare, thjesht sa për të plotësuar numrin e duhur për të luajtur. Në fushë në përballjen me Partizanin, kanë veshur për herë të parë fanellën e Vllaznisë futbollistet Ileri, Lorja, Keshteja,Hardhija, Hila, Faslija e Kronaj. Atyre u është bashkangjitur edhe Megi Doçi e cila ndryshe nga të gjitha lojtaret e tjera duket se e ka të vështirë ta braktisë skuadrën me të cilën bëri emër dhe theu shumë rekorde.
Por duket se kjo Vllazni tashmë thjesht po mbijeton dhe thjesht po respekton kampionatin. Vetëm kaq sepse nuk mund të bëjë asgjë më shumë. Një fakt shumë i dhimshëm për 13 herë kampionen e Shqipërisë…


