Legjenda e futbollit brazilian, Romario, ka sulmuar Karlo Ançelotin me një akuzë publike ndaj trajnerit italian pas humbjes së “seleçaos” ndaj Japonisë në miqësore me shifrat 3-2.
“Ançeloti, ka marrë fund! Merr gjërat e tua dhe ik! Askush nuk e vë në diskutim historinë tende. Je një nga trajnerët më të mëdhenj që ka parë ndonjëherë futbolli botëror, por këtë e ke treguar me klube. Me ekipin kombëtar brazilian, deri tani, nuk ke treguar se je në lartësinë e duhur. Nuk mundemi më!”, ishte komenti i parë i Romarios, i cili vazhdoi me një kërkesë drejtuar Samir Çaud, presidentit të Federatës.
“Samir, je i ri, brazilian dhe mendoj se ia do të mirën futbollit tonë. Por ka ardhur momenti të tregosh se ke kurajën të marrësh një vendim. Largo Ançelotin! Nuk mund të tallesh me fanellën e “seleçaos”! Nuk mund të rrezikojmë të hedhim tutje një tjetër Botëror. Momenti për të vepruar është tani.
Në futboll me raste gjërat nuk funksionojnë. Me Ançelotin, dukshëm nuk ka ndodhur. Nuk ka kuptuar dinamikat e punës me një ekip kombëtar dhe sidomos, nuk ka kuptuar atë që janë futbolli brazilian dhe fanella e artë. Ka ardhur prej kohësh momenti të ndryshohet. Lamtumirë!”, ishte reagimi i Romarios.


