Shkruar nga Endri ÇINARI
Vllaznia po përjeton një situatë që rrallë është parë gjatë këtij sezoni, por edhe gjatë sezonit të kaluar. Kuqeblutë kanë aktualisht në dispozicion të gjithë kontingjentin e skuadrës, me asnjë futbollist që të jetë i penalizuar për shkak kartonësh apo që të vuajë nga ndonjë dëmtim. Një situatë e tillë i jep trajnerit Csaba Lazslo mundësinë që të punojë me grupin e plotë dhe të ketë të gjitha alternativat në dispozicion.
Për teknikun hungarez kjo është një mundësi e rëndësishme për të konsoliduar më tej skuadrën dhe për të rritur konkurrencën brenda grupit. Gjatë muajve të fundit Vllaznia ka pasur në disa raste mungesa të ndryshme, qoftë për shkak dëmtimesh apo pezullimesh, duke kufizuar zgjedhjet e stafit teknik. Tashmë situata është krejt tjetër dhe Lazslo mund të zgjedhë formacionin pa pasur detyrime të imponuara nga mungesat.
Një prej futbollistëve që po afrohet gjithnjë e më shumë me formën optimale është Andi Hadroji. Mbrojtësi ka bërë progres të dukshëm në ditët e fundit dhe stërvitja e tij po shkon në drejtimin e duhur. Pas periudhës së afrimit në rradhët e kuqebluve, Hadroji tashmë është në gjendje të konkurojë për një vend në skuadër dhe mundësia për të marrë minutat e para në një ndeshje zyrtare me Vllazninë është gjithnjë e më konkrete.
Madje, sfida ndaj Partizanit gjatë kësaj fundjave mund të jetë pikërisht momenti i debutimi të tij në fushë me fanellën kuqeblu në një ndeshje zyrtare. Gjithçka do të varet nga gjendja fizike që do të paraqesë deri në ditën e ndeshjes, por fakti që ai po stërvitet me ritmin e duhur është një sinjal pozitiv. Për Lazslon, konfirmimi i Hadrojt do të thotë një tjetër alternativë në prapavijë dhe më shumë mundësi për të menaxhuar formacionin.
Ndërkohë, një tjetër emër që vazhdon të ndiqet me vëmendje është Lirim Kastrati. Kosovari ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe po i afrohet gradualisht formës së tij ideale, pas periudhës së gjatë jashtë fushave. Megjithatë, ende pritet të vlerësohet më qartë gjendja e tij fizike dhe nëse ai është gati për të përballuar intensitetin e një ndeshjeje zyrtare.
Në këtë mënyrë, Vllaznia po shkon drejt përballjes me Partizanin me një grup të plotë dhe pa mungesa të detyruara. Për Lazslon kjo përkthehet në më shumë zgjedhje dhe një konkurrencë më të fortë për çdo pozicion. Rikthimi gradual i Hadrojt dhe progresi i Kastratit e shtojnë edhe më shumë numrin e alternativave, ndërsa trajneri hungarez tashmë ka luksin të zgjedhë formacionin duke u bazuar vetëm te gjendja dhe forma e futbollistëve.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


