Rocco Vata shpjegoi arsyen se pse zgjodhi Irlandën para Shqipërisë. Sulmuesi me origjinë nga Shkodra u shpreh se arsyeja kryesore ishte e ardhmja që mori parasysh. Vata e ka humbur përfundimisht mundësinë që ndonjëherë të luajë për Shqipërinë. Ja intervista e plotë që dha në Irlandë.
Je i përfshirë në të dyja periudhat, si në atë me katër ndeshje, ashtu edhe në këtë të fundit. Si ishte atmosfera kur u bashkove me ekipin? Nuk bëhet fjalë thjesht për faktin se je bërë pjesë e rregullt e Kombëtares A, por edhe për mënyrën se si rrodhën ngjarjet në atë periudhë me katër ndeshje. Duhet të ketë qenë një përjetim i fortë edhe nga ana psikologjike për ty.
“Po, duke qenë një djalë i ri, nuk ke shumë… Lojtarët më të mëdhenj në moshë e menaxhuan shumë mirë gjithçka për ne. Situata po zhvillohej dhe ata morën përgjegjësinë mbi vete, ndaj… u jam vërtet mirënjohës për këtë. Kështu, nuk m’u desh të përballesha me shumë gjëra. Thjesht kishte shumë zhurmë dhe shumë… sigurisht, mora edhe një numër të madh mesazhesh. Është diçka që nuk e kisha përjetuar më parë. Por, në njëfarë mënyre, ishte diçka e mirë për ne, sepse treguam qëndrueshmëri dhe dolëm më të fortë nga ajo situatë. Tani të gjithë kemi një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin”.
Kam përshtypjen se sa herë flet me dikë që është pjesë e këtij grupi, krijohet ndjesia se mes jush ekziston një lidhje shumë e fortë.
“Po, pikërisht. Nuk e di, të paktën për mua, duke qenë një djalë i ri, nuk ka asnjë lojtar në ekip me të cilin nuk mund të ulem e të bisedoj. Edhe kjo është diçka e veçantë më vete”.
Si u ndjeve kur dole në fushë dhe luajte disa minuta në “Aviva Stadium”? Ndoshta ishte paksa ndryshe, pasi rezultati dukej praktikisht i siguruar, por gjithsesi pate mundësinë të luaje përpara një stadiumi të mbushur plot.
“Po, pikërisht këtë po thoja. Besoj se ishte publiku më i madh përpara të cilit kam luajtur ndonjëherë. Kur hyra në fushë, ngrita sytë drejt tribunave dhe ndjeva pak emocione, por gjithsesi e dinim që rezultati ishte 3-0. Kështu që mendova të provoja të krijoja disa raste dhe më pas erdhi edhe ajo goditja në fund. Shpresoja që topi të shkonte në kuadrat ose të përfundonte në rrjetë, por… e godita paksa me vështirësi, nuk isha në pozicionin më të mirë. Gjithsesi, nuk i dihet kurrë. E provova fatin, por nuk ka problem”.
Duke folur për ty dhe situatën në klub, e di që ke kaluar një periudhë mjaft të vështirë kohët e fundit për shkak të dëmtimeve. Tani po arrin të grumbullosh minuta në fushë dhe ndoshta objektivi për të veshur sërish fanellën e Irlandës në ndeshjen “play-off” të marsit duhet të jetë diçka që të emocionon shumë.
“Po, po, sezoni i kaluar ishte i vështirë. Nuk kisha qenë pothuajse kurrë i dëmtuar, sidomos jo në mënyrë kaq serioze. Por… është mirë që kjo ndodhi në fillim të karrierës sime dhe jo kur të jem, e di, 29 apo 30 vjeç. E kuptoni se çfarë dua të them? Kështu që e kalova mirë atë periudhë dhe tani po e ndiej se po rikthehem te vetja, po i afrohem sërish formës sime më të mirë”.
Kombëtarja U-21 luajti një ndeshje “play-off” në Kork, por fatkeqësisht humbi. E di që ke qenë pjesë e atij grupi dhe ke luajtur me shumë prej atyre djemve. Madje, je ende në moshën për të qenë pjesë e kësaj përfaqësueseje. A pati diskutime para këtij grumbullimi se me cilën skuadër do të bashkoheshe, apo ishte vendosur që në fillim se do të ishe me Kombëtaren A?
“Nuk e di nëse pati vërtet diskutime. Trajneri më telefonoi për të parë se si qëndronte situata, por më tha se më dëshironte me ekipin e parë. U gëzova shumë, ndaj po, kjo ishte zgjidhja. Sigurisht, pyetja e parë që bëra sapo dola nga fusha ishte se çfarë rezultati kishte marrë U-21. Më erdhi shumë keq kur mora vesh se kishte barazuar, pasi kishte qenë në avantazh 2-0. E kisha parë këtë, por… po, është një skuadër shumë e fortë dhe thjesht nuk pati fat”.
Në atë grup ka disa lojtarë, si Noel Elding, i cili ishte pjesë e Kombëtares A muajin e kaluar, por edhe Rori Fineran dhe Xhejkob Devani. Duket se këtu ka shumë futbollistë që, ashtu si ti, e shohin veten si pjesë të Kombëtares së Irlandës edhe në të ardhmen.
“Po, po, këtë e kam thënë edhe më parë. Njerëzit më pyesin shpesh, duke qenë se mund të përfaqësoj katër shtete të ndryshme, pse zgjodha Irlandën. Një nga arsyet kryesore është e ardhmja. E ardhmja jonë është vërtet shumë premtuese dhe mendoj se mund të bëjmë diçka të veçantë”.


