FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPërballja me Partizanin, tek Vllaznia janë 4 'ish-ë' të kryeqytetasve

Përballja me Partizanin, tek Vllaznia janë 4 ‘ish-ë’ të kryeqytetasve

Shkruar nga Endri ÇINARI

Ndeshja Partizani-Vllaznia e kësaj fundjave pritet të ketë edhe një tjetër element interesant përtej rëndësisë së pikëve, pasi në fushën e lojës do të përballen disa futbollistë që në të kaluarën kanë qenë pjesë e klubit kundërshtar. Sidomos te kuqeblutë, kjo sfidë mund të konsiderohet si një ndeshje “ish-ësh”, duke pasur parasysh numrin e lojtarëve që kanë veshur më parë fanellën e Partizanit.

Në radhët e Vllaznisë janë plot katër futbollistë me të kaluar te të kuqtë. Bëhet fjalë për Emiljano Mustën, Herald Markun, Adnard Mehmetin dhe Andi Hadrojin. Secili prej tyre ka dhënë kontributin e tij në periudha të ndryshme te Partizani, ndërsa tashmë do të zbresin në fushë me objektivin për të ndihmuar skuadrën shkodrane të marrë rezultat pozitiv në këtë transfertë.

Emiljano Musta është një prej emrave më të spikatur në këtë grup, ndërsa edhe Herald Marku ka qenë pjesë e Partizanit dhe ka lënë gjurmët e tij gjatë periudhës me fanellën e kuqe. Në të njëjtën situatë është edhe Andi Hadroji, i cili ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës kryeqytetase. Ndërkohë, Adnard Mehmeti e njeh mirë ambientin e kuq, pasi aktualisht është pjesë e Vllaznisë në formën e huazimit nga Partizani.

Në krahun tjetër, Partizani ka gjithashtu disa futbollistë me origjinë shkodrane, por historia e tyre me Vllazninë është ndryshe. Nebi Qokthi është i vetmi që mund të cilësohet si një “ish” i kuqebluve, pasi është formuar në moshat e Vllaznisë. Megjithatë, si futbollist profesionist, Qokthi nuk ka luajtur për ekipin e parë shkodran, ndërsa karrierën në nivelet e larta e ka vijuar me Partizanin.

Edhe Marcelino Preka është një futbollist me origjinë nga Shkodra, por pa një të kaluar te Vllaznia. Ai është formuar në akademinë Shkodra dhe më pas ka vijuar rrugëtimin e tij larg klubit kuqeblu. Ndërsa një tjetër emër është Sebastian Spahiu, i cili pavarësisht origjinës shkodrane, është formuar në Belgjikë dhe nuk ka mbajtur më parë veshur fanellën e Vllaznisë.

Kështu, përballja e së shtunës mes Partizanit dhe Vllaznisë do të ketë edhe këtë duel të veçantë mes “ish-ëve” dhe shkodranëve, me historitë e tyre që kryqëzohen në një prej sfidave më interesante të javës. Për katër lojtarët e Vllaznisë do të jetë një rikthim në një ambient të njohur, por këtë herë me misionin për të bërë diferencën në favor të skuadrës shkodrane.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments