Wednesday, July 1, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PAREE mbylli tek Lushnja, për mesfushorin shkodran interes nga disa ekipe

E mbylli tek Lushnja, për mesfushorin shkodran interes nga disa ekipe

Shkruar nga Endri ÇINARI

Pas mbylljes së aventurës së tij me Lushnjën, Ersi Zaganjori është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Mesfushori 21-vjeçar shkodran ndodhet aktualisht në pritje të skuadrës së re, teksa në ditët në vijim pritet të qartësohet edhe e ardhmja e tij. Futbollisti, i cili konsiderohet një nga lojtarët e rinj me potencial, synon të gjejë një ambient ku të ketë më shumë hapësira dhe vazhdimësi në aktivizim.

Sipas asaj që mëson gazeta “Shkodra Sport”, për ish-futbollistin e Vllaznisë ka interes konkret si nga skuadra të Kategorisë së Parë në Shqipëri, ashtu edhe nga klube të kampionatit të Kosovës. Për momentin kontaktet ndodhen vetëm në fazën fillestare dhe nuk ka ende negociata të avancuara, megjithatë emri i Zaganjorit po monitorohet me interes nga disa ekipe që kërkojnë të përforcojnë repartin e mesfushës.

Prioriteti i futbollistit mbetet gjetja e një skuadre ku të ketë mundësinë të luajë rregullisht dhe të vazhdojë procesin e rritjes së tij sportive. Në këtë fazë të karrierës, minutazhi është elementi më i rëndësishëm për zhvillimin e tij dhe kjo pritet të jetë edhe kriteri kryesor në zgjedhjen e destinacionit të ardhshëm, pavarësisht se cili do jetë destinacioni i tij.

Sezonin e fundit Zaganjori ishte pjesë e Lushnjës, ndërsa më herët ka veshur fanellën e Vllaznisë në elitën e futbollit shqiptar. Gjithashtu, ai ka provuar edhe një eksperiencë në Kosovë, ku u aktivizua për një gjysmë sezoni me Ferronikelin. Tashmë, me eksperiencën e fituar në këto vite dhe moshën ende në favor të tij, mesfushori shkodran shpreson që zgjedhja e radhës të jetë ajo e duhura për t’i dhënë një tjetër shtysë karrierës së tij.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments