FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVendimtar me rrjetat, golat e Balajt 'sjellin' pikët Vllaznisë

Vendimtar me rrjetat, golat e Balajt ‘sjellin’ pikët Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Bekim Balaj vijon të jetë një nga figurat kryesore të Vllaznisë, duke dëshmuar se mosha mbetet thjesht një shifër kur bëhet fjalë për një sulmues me eksperiencën dhe cilësitë e tij. Në moshën 35-vjeçare, numri “9” i kuqebluve vazhdon të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e skuadrës, duke u shfaqur thuajse gjithmonë në momentet kur kuqebluve i duhen golat e tij.

Deri tani, Balaj ka realizuar 5 gola në kampionat, një statistikë që merr edhe më shumë peshë duke parë ndikimin e tyre në pikët e grumbulluara nga Vllaznia. Sulmuesi shkodran ka dhuruar konkretisht 5 pikë për skuadrën, me golat e tij që në shumicën e rasteve kanë ardhur në ndeshje ku kuqeblutë kanë arritur të marrin rezultat pozitiv.

Bilanci i tij nisi që në javët e para të kampionatit, në barazimin spektakolar 2-2 ndaj Skënderbeut. Në atë përballje, Balaj ishte protagonisti absolut i Vllaznisë, duke shënuar të dy golat e skuadrës së tij. Një tregues i qartë se edhe në një sezon ku kuqeblutë kanë kaluar momente të vështira, eksperienca dhe instinkti i sulmuesit kanë mbetur një pikë e rëndësishme referimi.

Rrjeta ndaj Skënderbeut do të përsëritej edhe në fazën e dytë, këtë herë në një tjetër barazim, me shifrat 1-1. Edhe në këtë rast, Balaj ishte ai që i dha Vllaznisë golin e barazimit dhe pikën e marrë nga ky duel. Një tjetër paraqitje që konfirmon karakteristikën e tij kryesore këtë sezon: të jetë vendimtar kur skuadra ka më shumë nevojë për një lider në repartin ofensiv.

Rasti më i fundit erdhi në transfertën ndaj Partizanit, ku Vllaznia siguroi fitoren 0-1 dhe tre pikë shumë të rëndësishme. Ishte sërish Balaj ai që mori përgjegjësinë në momentin vendimtar, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë dhe duke i dhuruar skuadrës një fitore që thyente edhe tabunë e rezultateve në transfertë. Vetëm në përballjen me Vorën, të humbur 2-1, goli i tij nuk mjaftoi për t’i dhënë pikë Vllaznisë.

Në këtë mënyrë, Bekim Balaj vijon të mbetet lideri i padiskutueshëm i repartit ofensiv të kuqebluve dhe një nga lojtarët me më shumë peshë në skuadër. Në moshën 35-vjeçare, sulmuesi jo vetëm që vazhdon të shënojë, por po dëshmon se golat e tij kanë një vlerë të drejtpërdrejtë në rezultatet e Vllaznisë. Një eksperiencë e tillë, e shoqëruar me vazhdimësinë dhe aftësinë për të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare, e vendos Balajn mes futbollistëve më të rëndësishëm jo vetëm të Vllaznisë, por edhe të kampionatit.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments