Vllaznia do të luajë ditën e shtunë në ora 16:00 ndaj Laçit ndeshjen e rradhës për kampionat. Ndonëse kishte dyshime për vendin se ku do të luhej për shkak të mbjelljes së barit, përfundimisht duket e vendosur se sfida do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” sepse kanë dalë në shitje edhe biletat tashmë.
Për stafin teknik të kuqebluve ndërkohë është shtuar edhe një problem tjetër në këtë pragndeshje. Përveç mungesës së Emmanuel Obinna Nwokporo për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e kaluar ndaj Partizanit, do të mungojë edhe një tjetër futbollist.
Dhe për fat të keq sërish në repartin e mesfushës. Bëhet fjalë për Cristian Dros i cili ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë dhe si rrjedhojë është i skualifikuar për sfidën ndaj laçianëve.
Tashmë mbetet për t’u parë se kush do jenë lojtarët që do t’i zëvendësojnë këta dy mesfushorë, por opsionet më të mundshme janë Qato dhe Mehmeti, por nuk përjashtohet mundësia që në fushë të jetë edhe Tafili.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


