FAQJA E PARE KRYESOREAkademia Vllaznia konfirmon ambiciet, dy skuadra udhëheqin kampionatet e grupmoshave

Akademia Vllaznia konfirmon ambiciet, dy skuadra udhëheqin kampionatet e grupmoshave

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në majë të kampionateve përkatëse, ekipet e Akademisë Vllaznia po japin sinjale të qarta se puna e bërë në vitet e fundit po vijon të japë rezultate konkrete. Si U-16, ashtu edhe U-17 janë aktualisht pretendente serioze për titullin kampion, duke u pozicionuar në krye të renditjeve dhe duke treguar një ecuri bindëse. Dy skuadrat kuqeblu kanë pasur së fundmi edhe një tjetër konfirmim të formës së mirë, teksa kanë mposhtur Dinamon në grupmoshat përkatëse.

Vllaznia U-16, e drejtuar nga Valdano Nimani, regjistroi një fitore të thellë ndaj bluve, duke triumfuar me shifrat 5-2. Në këtë sukses spikatën Maldis Boshnjaku dhe Troja, të cilët realizuan nga dy gola secili, ndërsa një tjetër gol për kuqeblutë u shënua nga Hoxhaj. Një paraqitje bindëse e skuadrës shkodrane, që po vijon të mbajë ritmin e lartë në garën për kreun e kampionatit.

Pas nëntë javësh, U-16 i Vllaznisë kryeson me 23 pikë, duke konfirmuar ambiciet për të luftuar deri në fund për titullin. Për më tepër, kuqeblutë kanë në përbërje edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit, Maldis Boshnjakun. Sulmuesi ka realizuar 10 gola në nëntë takime, një statistikë që tregon edhe peshën që ai ka në ofensivën e skuadrës së Nimanit.

Ecuri pozitive po regjistron edhe Vllaznia U-17, tashmë nën drejtimin e Florind Bardullës. Edhe kjo skuadër e ka mposhtur Dinamon në ndeshjen e fundit, këtë herë me rezultatin 2-0. Sukaj dhe Gjoni ishin autorët e golave që i dhanë tre pikët skuadrës shkodrane, duke i mundësuar asaj të vijojë rrugëtimin në krye të klasifikimit.

U-17 kuqeblu numëron 20 pikë, po aq sa Teuta, por aktualisht qëndron në krye falë golavarazhit më të mirë. Edhe në këtë grupmoshë, Vllaznia ka futbollistë që po spikasin në repartin ofensiv, me Gjekën që ka shënuar 7 gola dhe Markun 6 të tillë. Shifrat tregojnë qartë se skuadra ka potencial dhe alternativa për të konkuruar deri në fund për trofeun.

Rezultatet e U-16 dhe U-17 janë një tjetër dëshmi e punës së vazhdueshme në Akademinë Vllaznia, ku synimi nuk është vetëm formimi i futbollistëve, por edhe konkurimi në nivelet më të larta të moshave. Kryesimi i dy kampionateve dhe prania e disa prej golashënuesve më të mirë janë tregues pozitivë për të ardhmen, ndërsa Akademia kuqeblu vijon të mbetet një prej strukturave më prodhuese dhe një prej akademive më të titulluara në vend në grupmoshat e saj.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments