Një pikë edhe vlen por edhe s’ vlen për situatën aktuale që po kalon Vllaznia. Megjithatë, nga ana morale, barazimi i djeshëm ndaj Kukësit ka një vlerë të madhe. Pas kësaj ndeshje, ka dhënë një prononcim për mediat kapiteni Gilman Lika i cili ka thënë:
“Pika e marrë ndaj Kukësit sigurisht që vlen. Kjo është një pikë që shërben më shumë në aspektin moral sepse erdhi përballë një ekipi si Kukësi. Të jem realist, një barazim nuk është shumë për ne, por duke ditur se luanim ndaj ekipit të vendit të dytë që ka një grup shumë të mirë lojtarësh dhe ka pretendime për titullin kampion,mund të them se jemi të kënaqur. Por e theksoj, më shumë vlen për moral, sesa ndikimi në renditje.
Duhet të vazhdojmë kështu siç luajtëm ndaj ekipit kukësian. Personalisht jam i bindur se po të luajmë kështu, edhe fitoret do të vijnë shumë shpejt dhe do të marrim pikët që na duhen për klasifikimin”.
I pyetur nëse kjo ndalesë e Kukësit, ishte një “asist” për Tiranën që tashmë e ka çuar tashmë në 6 pikë diferencën me të, Lika përgjigjet: “Ne kemi hallin tonë dhe nuk mendojmë nëse ‘i dhamë asist” Tiranës apo jo. Ne jemi më në hall se Tirana dhe jemi të përqendruar për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Realisht jemi në një zonë që nuk duhet të jemi”.
Kukësi tashmë është lënë pas dhe në Shkodër kanë nisur të mendojnë për përballjen me Partizanin që do të luhet ditën e hënë. Në prag të këtij takimi, Gilman Lika do të shprehej: “Të gjitha ndeshjet të vështira janë në fakt. Me Partizanin di të them se duhet të bëjmë maksimumin për të marrë tre pikët dhe kam besim se do ia dalim pavarësisht se nuk do ta kemi të lehtë”.
Vllaznia pavarësisht barazimit të djeshëm, ndodhet në vendin e tetë të renditjes dhe bashkë me të ekziston edhe frika e një ndeshje në play- out. A do të mbijetojë Vllaznia pa patur nevojën e një ndeshje shtesë, është pyetja e rradhës që i bëhet kapiteni kuqeblu dhe ai përgjigjet: “Nuk kam dëshirë të flas para kohe, por e kam thënë që ne nuk kemi ekip që është për këtë renditje”.
© shkodrasport.com