Teuta zhvilloi dje stërvitjen e parë për vitin 2020. Me trajnerin Edi Martini në krye, “Djemtë e Detit” kanë kryer minutat e para pas pushimeve.

Në urdhrat e trajnerit shkodran ishin jo të gjithë futbollistët, pasi Aleksi dhe Vecaj kishin marrë leje nga klubi. Duke parë se Kategoria Superiore do të rinisë më 22 janar, durrsakët kanë marrë masa që faza përgatitore të zhvillohet në Durrës, për të mos humbur kështu asnjë ditë përgatitjesh.

Drejtuesit janë duke menduar edhe për merkaton në hyrje. Pas largimit të sulmuesve Nikaç dhe Gashi, faza ofensive mbetet “zbuluar”, prandaj në Durrës po shohin mundësinë e afrimit të një ose më shumë lojtarëve me karakteristika ofensive.

Mësohet se janë piketuar lojtarët e duhur, ndaj negociata me ta vazhdon. Emri që përflitet është ai i shkodranit Rubin Hebaj, që njihet mjaft mirë nga tekniku Martini. Ende nuk ka asgjë zyrtare, me sulmuesin 21 vjeçar që është pa skuadër pas largimit nga Ukraina./newsport/