Në Shqipëri këto vitet e fundit është shtuar numri i të ashtuquajturave “Akademi” futbolli. Por në fakt, shumë pak janë ato që funksionojnë ashtu si duhet, me një program dhe pikësynim të caktuar.

Një ndër to mund të jetë edhe “Albanian Ajax School” që është krijuar në Shkodër dhe prej disa vitesh është kthyer në një faktor të rëndësishëm për futbollin e moshave jo vetëm në këtë qytet por edhe më gjerë.

Bashkëpunimi me klubin e mirënjohur të Ajaksit të Amsterdamit, dërgimi i disa futbollistëve për t’u testuar jashtë vendit, përfshirja e tyre në ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë, kanë qenë disa prej treguesve të rritjes së parametrave të kësaj Akademie. Por nga mbrëmë mund të themi me plot gojën se “AAS” ka bërë “bingon” e parë.

Ka transferuar një lojtar të sajin jashtë Shqipërisë. Kur themi “bingo” nuk e kemi fjalën se ka përfituar shumë nga ana financiare, por ky është një tregues se qëllimi i kësaj Akademie u arrit. Sepse të gjithë duan t’i rrisin këta futbollistë dhe t’u japin mundësi për të vazhduar karrierën jashtë vendit.

Kështu ka ndodhur me Esli Salën. Ka qenë vetë kjo Akademi e cila mbrëmë përmes faqes së saj ka bërë të ditur arritjen e akordit me klubin maltez Valletta FC për transferimin e këtij futbollisti. 18 vjeçari luan si mesfushor qendre dhe sapo të hapen transferimet e merkatos së janarit, do të bëhet pjesë e ekipit të parë maltez.

Kjo është një arritje jo vetëm për këtë lojtar por padyshim edhe për AAS. Esli Sala ka qenë vërtetë një nga lojtarët që ka spikatur tek kampionati shqiptar, i kompletuar në të gjitha drejtimet dhe jo më kot, drejtuesit e Valletta FC kanë insistuar për ta marrë.
© shkodrasport.com