Sa herë keni parë në Shqipëri raste kur një trajner u vërsulet gjyqtarëve dhe tenton të bëjë vetëgjyqësi për një padrejtësi? Me siguri me dhjetëra herë në kategoritë e ulëta të kampionatit shqiptar.

Por ja që kjo gjë ndodh edhe në kategoritë e ulëta në Spanjë, me ndryshimin e vogël që aty lojtarët nuk i bashkohen udhëzimeve të trajnerit, por mundohen ta qetësojnë e largojnë nga fusha e lojës.

Në Tercera Division (kategoria e katërt në Spanjë) këtë javë luhej ndeshja mes Arandina dhe Real Avila. Por i pakënaqur me gjykimin e ndeshjes dhe rastet që gjyqtari po vërshëllente kundër tij, trajneri i vendasve, Havier Alvarez de los Mozos, vendos ta zgjidhtë vetë situatën pasi u ndëshkua me të kuq për protesta.

Ai iu vërsul gjyqtarit dhe mes sharjeve të tipit “do të të vras, bir k…” kërkoi të bënte vetëgjyqësi. Për fatin e mirë të gjyqtarit, lojtarët e Arandina menduan ta mbronin atë dhe thuajse e gjithë skuadra me radhë u detyrua të tërhiqte jashtë fushës trajnerin i cili kishte shpërthyer në një krizë të mirëfilltë nervash dhe me vështirësi u përmbajt deri në dhomat e zhveshjeve. /vipsport/