Abaz Karakaçi ishte autori i golit të barazimit për Elbasanin. Kapiteni u tregua i saktë te penalltia në pjesën e parë dhe i hapi rrugën përmbysjes. Për “Panorama Sport” pas ndeshjes, kapiteni pohon se ekipi meritoi tri pikët në këtë ndeshje delikate.

“Ishte një ndeshje që nuk nisi në mënyrën më të mirë për ne, pasi sërish pësuan gol të parët. Megjithatë, gjetëm forcat për të reaguar dhe ia dolëm të merrnim në fund tri pikët.

Me entuziazmin që krijojnë tifozët më stadium, e kemi më të lehtë edhe të reagojmë kur gjendemi në disavantazh.Në fund merituam gjithçka, sepse në pjesën më të madhe të lojës kemi qenë superiorë dhe nuk na munguan rastet për shënim.

Tani na duhet të vijojmë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e tjera. Jemi në rrugën e duhur drejt ngjitjes në Superiore”, u shpreh në prononcimin e tij për gazetën mesfushori i Elbasanit.