Çmimet “stratosferike” të biletave për miqësoren Feronikeli-Milan, kanë ngjallur pakënaqësi të mëdha në opinionin sportiv.
Biletat variojnë prej 35, 50, 85, 115 deri në 155 euro, çmime totalisht të paarsyeshme ani pse në “Fadil Vokrri” zbret një klub me emër të madh si Milan.
Madje, këto çmime duken të “çmendura” nëse kthehemi disa vite prapa, kur Real Madridi vizitoi Shqipërinë për miqësoren me Gramozin.
Besoni apo jo, biletat për tribunën ballore të “Qemal Stafës” kanë kushtuar 500 lekë, që i bie 4 euro e 10 cent.
Tribuna prapa portës kishte kushtuar 200 lekë, apo 1 euro e 64 cent.
E derisa 4.10 euro kushtonte bileta për të parë Real Madridin e Cristiano Ronaldos në tribunën e madhe, çmimi për tribunën lindore të “Fadil Vokrrit” për miqësoren Feronikeli-Milan pritet të kushtojë 50-85 euro.
Absurd mbetet edhe krahasimi i biletave të tribuna prapa portave.
Biletat për sektoret prapa portave ishin 1.65 euro për ndeshjen Gramozi-Real Madrid, derisa në Prishtinë bileta për Milanin kushton nga 35 deri në 50 euro.

Biletat e ndeshjes Feronikeli-Milan janë shumë më të mëdha edhe në krahasim me biletat e takimit Shkëndija-Milan.
Madje, ai nuk ishte takim miqësor, por zyrtar në kualifikimet për Ligën e Evropës.
Sfida e zhvilluar në stadiumin modern të Shkupit, kishte çmime modeste të biletave. Ato ishin nga 400 denarë (6.5 euro), 600 denarë (10 euro), 800 denarë (13 euro) dhe 1000 denarë (pak më shumë se 16 euro).
“Olle” ua sjellë më poshtë çmimoren zyrtare të biletave të kësaj sfide që u zhvillua më 2017, të publikuar nga Shkëndija.
Mbetet të shihet nëse promotori dhe organizatorët do të ulin çmimet e biletave për miqësoren e gushtit.
Në të kundërtën, pavarësisht fluksit të madh të bashkatdhetarëve në atë periudhë, “Fadil Vokrri” vështirë se do të mbushet në maksimum.
Kujtojmë që kjo miqësore zhvillohet më 10 gusht prej orës 20:45. /Gazeta Olle/