Velipojakët prisnin të arrinin fitoren e tyre të tretë në kampionat por janë befasuar ndaj Klosit. Duke luajtur në fushën sportive “Adriatik”, Ada është mundur nga miqtë me rezultatin 2-3. Ndoshta askujt nuk ia merrte mendja për një rezultat të tillë. Ka qenë ekipi i Klosit që ka shënuar dy herë brenda pjesës së parë dhe kjo krijoi një problem për vendasit megjithatë ata gjejnë forca dhe në minutat e fundit të pjesës së parë, arrijnë të ngushtojnë shifrat me anë të sulmuesit Galica. Kjo pjesë u mbyll në shifrat 1-2 për Klosin.

Në fillimin e së dytës, do ishte Dibra ai që do të barazonte shifrat për Adën dhe kjo i dha edhe më shumë besim futbollistëve të kësaj skuadre se mund ta fitonin këtë ndeshje. Velipojakët janë në sulm në kërkim të golit të fitores, por në minutën e 87-të pas një kundërsulmi do ishte Klosi që do të shënonte golin e tretë që i dha një fitore shumë të rëndësishme. Ada ndërkohë pas javës së gjashtë të kampionatit mbetet sërish në kuotën e 6 pikëve në vendin e tetë në renditje.

© shkodrasport.com