Mevlan Adili ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Sport Magazine“ në “Ora News“ të moderuar nga Altin Sulçe. Futbollisti i Vllaznisë ka folur mbi eksperencën e tij në Shqipëri, që duket se e gëzon pa masë dhe do të dëshironte ta provonte më herët.
Përshtatjen në Shkodër nuk e ka pasur të vështirë, ndërsa për suksesin e kuqebluve shprehet se lind që në dhomat e zhveshjes e më pas nga rezultatet në fushën e lojës.
“E kemi treguar veten që do të jemi lart në tabelë. Më gëzon fakti, jo prej fitoreve, por prej ndeshjeve që po bëjmë. Objektivi jonë sot ishte vetëm të merrnim 3 pikët tona. Në fund ia arritëm qëllimit. Nuk e mohoj gabimin. Është e dukshme. Gabimtari më i mirë është ai që e pranon gabimin dhe vazhdon.
Më gëzon shumë fakti që jam në Shqipëri dhe kampionati është shumë më i fortë. Po të isha 20-vjeçar do të vendosja prej 20 vjeç të vija në Shqipëri dhe jo të qendroja në Maqedoni. Suksesi nuk është vetëm të fitosh, suksesi është edhe brenda në dhomat e zhveshjes.
Vllaznia jo rastësisht është në finale dhe në vendin e parë deri tani. Që kur kam ardhur në Shqipëri më kanë quajtur të gjithë maqedonas. Por unë u kam thënë atyre që jam puro shqiptar, 100%.
Nuk e kam pasur të vështirë të adaptohem. Unë vij nga Shkupi dhe atje jemi të gjithë shqiptarë. Shkodra i ngjan shumë qytetit tim dhe njerëzve të mi”, ka thënë Mevlan Adili.