Në këto momente që nuk duket se po mendon kush për Vllazninë, administratori i klubit të futbollit, Suad Lici, me sa duket, ka vendosur që të vijojë punën për ndërtimin e skuadrës.

Së bashku me drejtorin sportiv, turkun Engin Firat, ai duket se ka filluar nga lëvizjet e para. Administratori Lici është shprehur se nuk do të ndikohet fare nga ajo që po ngjet në aspektin politik, por ka vendosur që të lëvizë në drejtim të ndërtimit të skuadrës.

Lici, një situatë aspak e mirë, priten ndryshime politike dhe po ashtu mund të kenë ndikimin e vet edhe tek klubi i futbollit Vllaznia sh.a. që është pjesë e bashkisë. Çfarë keni ndërmend të bëni në këto momente, pikërisht kur të gjithë pyesin çfarë do të ngjasë me Vllazninë?

Vllaznia është mbi të gjithë për mua. Mbi politikën dhe mbi shumë gjëra të tjera. Kam vendosur që të vazhdojmë punën dhe të ndërtojmë skuadrën për sezonin e ri. Askush nuk do që ta dijë se çfarë po ndodh në këto momente. Të gjithë kërkojnë që të bëhet Vllaznia për sezonin e ri dhe të nisë sa më shpejt nga puna.

Pra, ju keni vendosur që të vazhdoni dhe të mos shikoni çfarë do të ndodhë?

Natyrisht që po. Vllaznia është e të gjithëve dhe kohë për të humbur nuk ka. Politika ka punë e veta dhe ne do të kemi punët tona.

Pra, do të kemi lojtarët e parë?

Them se po. Ne kemi disa lojtarë në projektet tona, së bashku me drejtorin Firat që është personi që jep “viston” për këto punë. Gjatë këtyre ditëve do të bëjmë të mundur që të realizojmë ato projekte që kemi. Shumë shpejt do të jenë hedhur edhe firmat e para.

Dëgjojmë shumë emra që mund të afrohen. Si është realiteti?

Ka shumë që kërkojnë që të vetafrohen pranë Vllaznisë, ashtu siç edhe ka të tjerë, që emrin e Vllaznisë e përdorin për trampolinë. Por, ne kemi një projekt dhe siç po e riktheksoj me drejtorin Firat, ku edhe kemi vënë piketat tona. Pastaj çfarë të dalin është tjetër çështje.

Po për trajnerin?

Një gjë të tillë do të vendoset në ditët në vijim.

Sherri e Gurishta kërkojnë largimin. Si paraqitet situata me ta?

Për të dy lojtarët ka një ofertë në klub. Ne dëshirojmë që t’i mbajmë në skuadër për sezonin e ri, pasi janë dy pika të forta për ekipin tonë. Janë djem që kanë treguar një rritje në lojën e tyre në sezonin që shkoi.

Por nëse skuadra që i preferon t’i ketë këta dy lojtarë do të përmbushë parametrat e kërkesave të klubit, atëherë nuk mund t’i mbajmë dhe vetëm duhet që t’u urojmë suksese. Dëshira është për t’i pasur në skuadër për sezonin e ri, por kjo tani nuk varet vetëm nga ne.

Pra, le të shpresojmë se tani ndërtimi i Vllaznisë ka nisur?

Po, pa asnjë diskutim.