Vetëm 22 vjeç por karriera e tij ka ecur deri tani në mënyrë të shkëlqyer. Anton Qafarena dy sezone më parë u shpall kampion me Vllazninë dhe më pas “fluturoi” drejt Gjermanisë, aty ku ka firmosur një kontratë profesioniste me ekipin e Bundesligës “Voleyball Bisons Buhl”.

Në sezonin e parë me të ka arritur deri në finalen e Kupës së Gjermanisë, ndërsa në të dytën skuadra e tij ka qenë në play off-in e kampionatit. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai ka folur për këto dy sezone të kaluara në volejbollin gjerman duke treguar edhe adaptimin e shkëlqyer me nivelin e lartë që ai posedon.

“Ishin dy sezone mjaft të suksesshme për mua. Besoj se kam patur një rritje dhe një progres mjaft të madh në anën sportive duke luajtur me ekipin “Voleyball Bisons Buhl. Jam i bindur se tashmë kam arritur në një stad ku mundem me u përballë me nivelin e Bundesligës gjermane që siç dihet është një nga katër kampionatet më të forta të Europës në volejboll”- ka thënë Qafarena.

I pyetur ndërkohë për sezonin e ardhshëm, nëse do të vazhdojë të jetë përsëri pjesë e ekipit aktual, apo mund të gjejë “strehë” të re, Qafarena shton: “Synimet e mia janë që edhe në sezonin e ri të luaj me ekipin aktual. Ofertat nuk më kanë munguar në fakt, si nga ekipe të tjera të Gjermanisë, ashtu edhe jashtë saj, por dua ta finalizoj me sukses bashkëpunimin me këtë ekip i cili para dy sezonesh më besoi për të qenë pjesë e tij”.

Gjatë kësaj periudhe Antoni ka qenë në Shkodër duke zhvilluar kryesisht stërvitje individuale edhe ngaqë kombëtarja nuk u grumbullua këtë verë. I pyetur nëse niveli i ekipit tonë përfaqësues ka ardhur apo jo në rritje, ai shprehet: “Duke parë edhe aktivitetet e fundit që kemi pasë me kombëtaren, ka pasë një rritje të konsiderueshme të nivelit të saj.

Shoh që ekipi dhe grupi që është pjesë e tij, kanë fituar një lloj besimi e përvoje për të treguar se synimet tashmë nuk do jetë pjesmarrja në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare, por do të synojmë edhe fitoret, gjë që e kemi dëshmuar. Ne kemi qenë pranë kualifikimit si në Euroligë ashtu edhe në eliminatoret e Europianit, por tashmë besoj se ka ardhur koha ta thyejmë këtë tabu për të çuar nivelin e volejbollit shqiptar aty ku i takon kombëtares kuqezi”.
Gjergj KOLA