Numri i futbollisteve shqiptare që luajnë nëpër botë po shtohet gjithnjë e më shumë. Tashmë përveç shkodranes Alma Hilaj që luan me sukses në Seria A me ekipin Florentia, do të jenë edhe dy futbolliste të tjera që do të luajnë me ekipin e Torinos.

Bëhet fjalë për ish- kapitenen e kombëtares shqiptare Aurora Seranaj dhe shkodranen e talentuar Alessia Millaj. Nëse Seranaj do të luajë me ekipin e parë dhe madje do të jetë edhe pjesë e stafit teknik të këtij ekipi, tjetra do të luajë me ekipin U15.

Alessia ka qenë deri më tani pjesë e ekipit “Valle Variata” por ndërkohë duke spikatur me performancën e saj, ka bërë që drejtuesit e Akademisë së Torinos t’i kërkojnë të bëhet pjesë e saj dhe marrëveshja është arritur.

Kjo futbolliste është vetëm 14 vjeçe, ka lindur në Itali por me dy prindër nga Shkodra dhe padyshim që është e lidhur me këtë qytet dhe me Shqipërinë.

Edhe në turneun e Roverettos që u zhvillua në muajin prill në Itali, ajo iu bashkua ekipit të “Juban Danjes” që merrte pjesë në të.

Ndërsa tani do të luajë me Torino U15 duke u vënë nën urdhërat e trajnerit të sapoemëruar të këtij ekipi Roberto Pedone. E ardhmja e kësaj futbollisteje duket e sigurtë dhe hapat që po hedh janë shumë të rëndësishëm për karrierën e saj.
© shkodrasport.com