Edhe pse ende nuk ka ndonjë zyrtarizim konkret të trajnerit të ri, te Vllaznia po i bëjnë planet për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Ky ekip pritet që të ketë objektiva madhore edhe në sezonin 2023-2024.

Drejtuesit po punojnë fort për të bërë një merkato të denjë, në mënyrë që trajneri i ri, kushdo qoftë ai, të ketë një grup të kompletuar. Megjithatë, së fundmi “Shkodra Sport” ka zbuluar se Vllaznia i ka bërë ofertë një emri të afirmuar të Superiores në sezonin e fundit.

Fjala është për ish-mbrojtësin e Kastriotit së fundmi, pikërisht Milos Stojanoviç. Ky i fundit u largua nga krutanët direkt pas përfundimit të kampionatit, ku Kastrioti zbriti nga Abissnet Superiore.

Qendërmbrojtësi vjen pas një sezoni të mirë me Kastriotin, por pas përfundimit të kontratës me klubin krutan, është larguar nga ky ekip. Gjithashtu, krahas Vllaznisë, Stojanoviç është i preferuar edhe nga skuadrat e Tiranës, Dinamos, Egnatias dhe Laçit, të cilat edhe ato nga ana e tyre kërkojnë ta afrojnë mbrojtësin serb në gjirin e ekipeve të tyre.

Tashmë, pritet vetëm zgjedhja e 26-vjeçarit. Në fakt, drejtori sportiv Elvis Plori mësohet se është ulur në tavolinë me të, duke i bërë ofertë për të firmosur në sezonin e ri te Vllaznia. Gjithsesi, çdo gjë është lënë e hapur dhe në ditët në vijim do të ketë një vendim përfundimtar të ish-mbrojtësit të Kastriotit, nëse do të firmosë në Shkodër apo jo.
Maringlen ZHIVANI