Olivier Rioux, 19-vjeçari nga Montreali i Kanadasë, ka hyrë në historinë e basketbollit universitar amerikan si lojtari më i gjatë ndonjëherë, me një lartësi prej 2.36 metrash. Ai bëri debutimin e tij të shumëpritur me ekipin Florida Gators, gjatë fitores 104-64 kundër North Florida, mes duartrokitjeve dhe ovacioneve të zjarrta nga publiku.

Rioux hyri në lojë dy minuta para fundit të ndeshjes, në një moment që komentatorët e përshkruan si “më i zhurmshmi i mbrëmjes”. Edhe pse nuk arriti të shënojë pikë, prania e tij në parket shënoi një moment historik, duke thyer rekordin që mbahej nga Kenny George dhe Mike Lanier, të dy me lartësi 2.31 metra, shkruan A2 CNN.

Pas ndeshjes, Rioux u shpreh: “Ishte ndjesi fantastike. Mbështetja nga të gjithë, në stol dhe në tribuna, ishte e jashtëzakonshme.”

Trajneri i Floridës, Todd Golden, tha se kishte pritur momentin e duhur për ta aktivizuar: “Ishte emocionuese për të gjithë ekipin. Ai ka punuar shumë dhe e meritonte këtë moment.”

Rioux, i njohur edhe si adoleshenti më i gjatë në botë sipas Guinness World Records që nga viti 2022, tashmë është bërë simbol i durimit dhe përkushtimit në sport. (A2 Televizion)