Yjet e PSG-së kanë filluar të planifikojnë eksodin nga kryeqyteti francez pas ngjarjes së kësaj fundjave ku ata u vërshëllyen dhe u ofenduan nga vetë tifozët e tyre, gjatë ndeshjes ndaj Bordosë të fituar me shifrat 3-0.

Sipas të përditshmes spanjolle “AS” dy emrat e parë që kanë filluar menjëherë planet për largimin nga Parisi janë Serxhi Ramos dhe Nejmar. Braziliani ka vetëm një pengesë të madhe për largimin e tij nga Franca, pasi nuk janë të shumtë klubet në Europë që mund të përballojnë rrogën e tij, ndërsa duhet edhe një ofertë që të kënaqë sheikët e PSG-së.

Nga ana tjetër, mbrojtësi është thuajse i sigurt për largimin e tij pas një sezoni ku ka qenë spektator duke u dëmtuar ndeshje pas ndeshje. Ndonëse nuk ka dhënë kontributin në fushë për mirë apo për keq, ai është kthyer në një nga emrat më të urryer nga tifozët, të cilët e shohin si shembullin konkret të shpenzimeve të kota që ka bërë klubi.

Ndërsa parashikohet edhe largimi i Mbape me destinacion Real Madrid, Mesi mund të vazhdojë të jetë pjesë e PSG-së. Klubi e di që për të ruajtur imazhin i duhet një yll ndërkombëtar dhe argjentinasi është i duhuri, edhe pse është në fundin e kontratës dhe duket se deri tani nuk është përshtatur aspak me ekipin e ri.