Skënderbeu nuk i ndahet kontinentit afrikan për merkato. Pas Gutrand Ngunimba Meil, Kelvin Edo Doseh, Aboubacar Sumaila, klubi merr edhe Leonard Ovusu.
Bëhet fjalë për një sulmues 19-vjeçar, me të cilin bardhekuqtë pretendojnë që të kompletojmë ofensivën. Gjithçka është e mbyllur tashmë, madje edhe në “transfermarkt” rezulton se ka nënshkruar kontratë 3- vjeçare.
Pritet të bëjë prezantimin para ekipit në ditët në vijim dhe rrjedhimisht të vihet në urdhrat e Migen Memellit. 19-vjeçari që ka luajtur me Mountain FC në kampionatin ganez, është i treti futbollist me këtë kombësi, që bashkohet me korçarët si një alternativë e rëndësishme e repartit të avancuar. Në kushte të tilla, bardhekuqtë mbyllin afrimet nga jashtë dhe arrijnë në numrin katër të lojtarëve afrikanë këtë sezon.
STRATEGJIA – Ardjan Takaj nuk është duke menduar vetëm për këtë sezon, por edhe perspektivën. Tre nga katër lojtarët e afruar nga Afrika kanë një moshë 19-vjeçare, çka tregon qartazi faktin se në kampin bardhekuq po mendojnë edhe për marketingun.
Nëse ecuria e tyre është e mirë, shihet si mundësi për të arkëtuar të ardhura. Është ky shkaku që klubi po aplikon kontrata afatgjata, që shkojnë në katër vjet. Praktikat e viteve të kaluara kanë qenë të suksesshme duke përmendur Peter Olainkën, Xhejms Adenijin apo Alfred Mensah, të cilët kanë mbushur arkat e klubit. Një gjë të tillë numri një i klubit shpreson ta bëjë edhe me tre afrikanët e rinj.
MERKATO – Merkatoja në kampin bardhekuq mbetet ende e hapur, pavarësisht afrimeve në masë. Duket se për momentin korçarët kanë stabilizuar portën, mbrojtjen dhe sulmin, por kanë mangësi të theksuara në mesfushë. Repartet e mësipërme shihen si të kompletuara dhe nuk kanë nevojë për asnjë ndërhyrje për momentin. Por mesfusha është tejet e boshatisur.
Kjo është dilema e madhe e klubit pasi për momentin janë vetëm dy lojtarë në këtë repart. Largimet e shumta kanë bërë që mesfusha të duket më bosh se kurrë, aq sa Memelli dhe drejtuesit po nxitojnë për gjetjen e alternativave të duhura.