Vllaznia do luajë ditën e nesërme për një kualifikim historik në kupat e Europës. Kuqeblutë do tentojnë kalimin në turin e tretë për herë të parë të një kompeticioni europian.

Kjo pas barazimit 1-1 kundër Univ.Craiova, ku tashmë çdo gjë është e hapur për të arritur tek suksesi. E po të kthehemi 10 vite në kohë, kuqeblutë ishin shumë afër historisë.

Do ishte dueli i sezonit 2011-12 për turin e dytë të Europa League dhe Vllaznia do kishte përballë Thunin. Ekipin zvicerian me të cilin barazonte në shifrat 0-0 në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi”. Çdo gjë do luhej në takimin e kthimit, ku shkodranët ishin shumë afër mrekullisë.

Xhevahir Sukaj do kalonte në avantazh skuadrën shkodrane në minutën e 14-të të takimit. Gjithçka po shkonte siç duhet deri në momentet e fundit ku Thun barazonte në minutën e 89-të me Ramen. Sërish Vllaznia ishte e kualifikuar, për shkak të rregullit të golit në fushën kundërshtare. Por fati nuk do ishte aspak në favorin e kuqebluve.

Minuta e 90+2 e ndeshjes ku Lüthi do shënonte golin e kualifikimit dhe do shuante shpresat për historinë e Vllaznisë. Në stol në atë ndeshje do ishte Mirel Josa, i cili tashmë do kërkojë “revanshin” dhe historinë. Ku për herë të parë do ishte kualifikim në raundin e tretë për Vllazninë dhe një mundësi për një përfitim ekonomik shumë të madh.

Endri ÇINARI