E ardhmja e Cristiano Ronaldos vazhdon të jetë në qendër të merkatos, pasi sulmuesi portugez ka kërkuar largimin nga Manchester United, pasi dëshiron të luajë në Champions League, komepticion ku djajtë “dështuan” këtë sezon.

Një nga skuadrat me të cilat është lidhur ngushtë me një kalim të ish-sulmuesit të Real Madrid është Atletico Madrid.

Mirëpo në një postim në rrjetet sociale këto zëra janë hedhur poshtë nga presidenti i “Los Colchoneros”, Enrique Cerezo, i cili mohoi se Atletico ka shprehur interesim për Ronaldon.

“Nuk e di se kush e shpiku këtë histori për Cristiano Ronaldon te Atletico Madridi. Sigurisht që nuk është e vërtetë. Është praktikisht e pamundur që ai të vijë te Atletico”, shtoi Cerezo.

Ronaldo së fundi është rikthyer te United, ndërsa ditën e djeshme ka pasur edhe një takim me drejtuesit, ku sipas asaj që raportohet CR7 vazhdon të kërkojë largimin nga “Old Trafford”.

37-vjeçari me “Djajtë e Kuq” ka kontratë të vlefshme edhe për një sezon, teksa në kontratën e tij me klubin anglez ekziston edhe opsioni për të zgjatur bashkëpunimin edhe për një tjetër sezon.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ende nuk ka filluar stërvitjet me skuadrën e Erik ten Hag, teksa mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi përfundimtar i tij për të ardhmen.